Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se CIA nuk ka dalë në përfundimin se ka qenë pikërisht princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman, ai që ka urdhëruar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, i vrarë më 2 tetor në Konsullatën saudite në Stamboll.
Zyrtarët e shërbimit sekret amerikan i thanë medies amerikane se, një operacion i tillë ka pasur nevojë aprovimi nga princi në fjalë, por Arabia Saudite vijon të këmbëngulë se ai ishte një “operacion i shkuar keq”.
“Ata nuk kanë dalë në këtë përfundim”, tha Trump, kur u pyet mbi vlerësimin e raportuar të CIA-s nga reporterët e pranishëm në Florida.
“Ata kanë shprehur thjesht bindjet e tyre. Unë e kam raportin, por nuk ka një konkluzion të qartë. Nuk e di nëse dikush do të mund t’i shkojë deri në fund e të dalë në përfundimin se princi i kurorës e ka bërë këtë gjë. Megjithatë, e ka bërë apo jo, kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është që ai e mohon me vendosmëri, sikurse edhe i ati, mbreti i Arabisë”, tha Trump.
Komentet e tij të së enjtes vijnë në kohën kur princi saudit i kurorës nisi një tur rajonal në Lindjen e Mesme, duke nisur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i pari udhëtim i tij jashtë vendit që prej vrasjes së Khashoggit.
Princi i kurorës pritet të marrë pjesë gjithashtu në një takim të udhëheqësve të vendeve të G20-s në Buenos Aires, në fund të këtij muaji, ku do të jenë padyshim edhe shefi i Shtëpisë së Bardhë dhe presidenti turk, sikurse edhe disa prej përfaqësuesve të vendeve europiane.
Ndërkohë, Franca ka njoftuar vendosjen e sanksioneve ndaj 18 shtetasve sauditë, të njëjtët që u shënjestruan edhe nga sanksionet e SHBA, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, të cilët dyshohen si të lidhur me vrasjen e Khashoggit.
Lista e këtyre individëve nuk e përfshin princin e kurorës, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme franceze.
Top Channel