Policia e Kosovës ka konfirmuar mëngjesin e kësaj të premteje zbatimin e urdhrit të gjykatës për ndalim ndaj 4 persona në Mitrovicën e Veriut, 3 prej të cilëve dyshohen në lidhje me vrasjen e ish-udhëheqësit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç.
I katërti është ndaluar për mosbindje ndaj policisë, duke bërë rezistencë.
Sipas njoftimit të policisë kosovare, janë bastisur 4 vendndodhje, ndërsa operacioni është zhvilluar herët në mëngjes, përpara orës 6.
Serbët në veri të Mitrovicës kanë aktivizuar ndërkohë alarmin që simbolizon tubimin e qytetarëve atje, megjithatë ende nuk ka një prani të madhe të tyre. Ndërkohë, në pjesën jugore të qytetit ka ende prani të madhe të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Oliver Ivanoviç u vra në janar të këtij viti, përpara zyrës së tij në Mitrovicën e Veriut.
Top Channel