Italia tha se do t’u rezistojë presioneve të Brukselit për të ndryshuar projekt-buxhetin e vitit 2019, në të cilin parashikohen shpenzime të mëdha, duke nxitur në mënyrë të tillë BE-në, që të aplikojë gjoba ndaj Romës.
Udhëheqësit e qeverisë populiste të Romës thanë se do të shtynin përpara zgjerimin e deficitit vitin e ardhshëm, një ditë pasi Komisioni Europian nisi procedurat disiplinore kundër Italisë mbi buxhetin, që ka shkaktuar një mosmarrëveshje që ka alarmuar të gjithë zonën e euros.
“Nuk do të ndërmarrim asnjë hap prapa”, tha zëvendëskryeministri Matteo Salvini për televizionin shtetëror Rai. “Ne nuk po shpenzojmë këto para në mënyrë të rastësishme. Ideja është që Italia të rritet ekonomikisht”.
Salvini u shpreh se dëshiron që Lega Nord, një nga dy partitë që formoi një koalicion qeverisës në qershor, të ndihmojë në reduktimin e ndikimit të Bashkimit Evropian mbi shtetet anëtare dhe të drejtojë një sulm populist në parlamentin evropian, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Partneri i tij i koalicionit dhe zëvendëskryeministri, Luigi Di Maio i partisë anti-establishment “5 Yjet”, gjithashtu tha se Roma nuk do të tërhiqej përpara kësaj situate dhe do të konfirmonte projekt-buxhetin e miratuar tashmë për vitin 2018.
“Unë përjashtoj ndërhyrjen për shkurtimin e shpenzimeve, para votimit në BE”, tha Di Maio për gazetarët në parlament, duke thënë se shumë vende evropiane do të kishin arsye për të ndryshuar “rregullat e lojës” në Evropë më pas.
Qeveria argumenton se një zgjerim i buxhetit do të rritë rritjen ekonomike dhe nga ana tjetër të ardhurat tatimore, duke ulur borxhin publik prej 2.3 trilion euro ($ 2.663 trilionë), që përfaqëson rreth 130 për qind të prodhimit ekonomik.
Komisioni nuk pajtohet, duke thënë se Italia duhet të bëjë më shumë për të lehtësuar barrën e saj të borxhit, proporcionalisht më e dyta më e lartë e Eurozonës pas Greqisë.
Top Channel