Edhe pse Shqipëria ka ratifikuar Konventën ndërkombëtare të të Drejtave të Personave me aftësi të kufizuara, edhe sot në vitin 2018 kësaj kategorie i shkelen të drejtat.

Agustini sot është 22 vjeç dhe është në shkollë të lartë, por ai nuk i ka frekuentuar klasat fillore pasi nuk e pranonin në shkollë.

“Unë e fillova direkt në klasën e pestë, pasi iu nënshtrova një provimi në Drejtorinë Rajonale Arsimore të Tiranës. Përmes tij vlerësohej se në cilin vit mësimor duhej të isha unë. Fatmirësisht, falë mësimeve që kisha marrë në shtëpi prej prindërve, edhe pse asnjërin nuk e kam me profesion mësues, u klasifikova për në klasën e pestë”, tha Agustin Arimadhi.

Agustini rendit të drejtat që u shkelen bashkëmoshatarëve të tij, duke filluar që nga qasja për të marrë shërbime në institucione të ndryshme, e po ashtu punësimi, i cili është i përcaktuar në ligj për kompanitë dhe institucionet publike ose jo.

“Ligji e thotë fare mirë se një në 25 të punësuar të një kompanie private ose në shtet duhet të jetë me aftësi ndryshe. Mundësia e hyrjes fizike për personat me aftësi ndryshe është në nivelet më të ulëta”, tha më tej Agustini.

Edhe më e vështirë është situata për personat që nuk dëgjojnë. Flori është përfaqësues i tyre dhe i gëzon faktit që të paktën janë përfshirë në kategorinë e personave me aftësi të kufizuara.

“Mungojnë shërbimet e interpretimit, por edhe niveli i punësimit të këtyre njerëzve është shumë i ulët. Situata financiare e tyre është shumë e vështirë, sepse nuk kanë punësim dhe arsimim”, tha interpretuesja në emër të tij.

Këtë situatë e pranon edhe zv.ministrja e Shëndetëisë, e cila vjen nga kjo kategori dhe i përfaqëson ata në qeveri, ndonëse premton se në vitin 2019 do të krijohet fondi social për ta.

“Fakti që kemi ende fëmijë me aftësi të kufizuara që nuk ndjekin dot shkollën, apo shërbime të pamjaftueshme për të rriturit me aftësi të kufizuara, apo fakti që zëri i këtyre personave duhet të dëgjohet në të gjitha institucionet, na detyron neve të gjithëve si institucione që të punojmë më shpejt në këtë drejtim”, tha Bardhylka Kospiri.

Ekspertë ndërkombëtarë kanë diskutuar me përfaqësues të shoqërisë civile në lidhje me zbatimin e Konventës së të Drejtave të Personave me aftësi të kufizuara.

Top Channel