Ditaristja adoleshente Anne Frank, prej kohësh është konsideruar simbol i humanizmit në mesin e tmerreve të holokaustit, por shtëpia ku ajo u fsheh nga nazistët po përpiqet tani t’u mësojë brezave të rinj mbi antisemitizmin.
Pas dy vitesh punë, Muzeu në Amsterdam ka zbuluar imazhin e tij të ri të enjten, duke u bërë më atraktiv për të rinjtë, që mund të mos kenë njohuri mbi Luftën e Dytë Botërore, por që jetojnë në një kohë kur krimet e urrejtjes po rriten.
Mbreti holandez Ëillem Alexander ishte i ftuari i nderit në muzeun e ndërtuar rreth një aneksi të fshehtë, në shtëpinë ku Anne Frank u fsheh nga viti 1942 deri në 1944-n.
“Çdo vit, 1.2 milionë njerëz vizitojnë shtëpinë e Anne Frank dhe gjysma e tyre janë nën moshën 30 vjeç, ndaj mund të themi se kemi një audiencë shumë të re. Interesi për luftën dhe historia e Anne Frank po rritet, në vend që të bjerë, por njohuritë janë më të pakta dhe ne duhet të ofrojmë më shumë”, tha Roland Leopold, drejtor i muzeut.
Ditaret e Anne Frank portretizonin jetën e një vajze të thjeshtë, që jetonte në rrethana të jashtëzakonshme, duke u fshehur nga nazistët që përpiqeshin të shfarosnin hebrenjtë e Europës.
Muzeu tregon dhomat ku mund të shkohej përmes një dere të fshehur, pas një rafti të rremë librash, ku Anne Frank jetoi me babain, nënën, motrën dhe 4 persona të tjerë. Babai i Annes, Otto ishte i vetmi që mbijetoi dhe bëri publik ditaret e së bijës.
Top Channel