Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis ka garantuar se policët ushtarakë që do të vendosen përgjatë kufirit me Meksikën do të jenë të paarmatosur dhe nuk do të kenë tagrin për të arrestuar refugjatët.
“Ata nuk do të kenë armë në duart e tyre. Asnjë element i armatosur nuk do të shkojë atje”, u tha Mattis reporterëve gjatë së mërkurës. Ai shtoi se dërgimi i ushtrisë përgjatë kufirit amerikano-meksikan bëhet me qëllimin për të ndihmuar në mbrojtjen e zyrtarëve kufitarë ndaj kërcënimeve të mundshme.
Një karvan prej rreth 3.000 emigrantësh nga vendet e Amerikës Qendrore kanë mbërritur tashmë në qytetin meksikan kufitar të Tijuanës. Ata pretendojnë se po i largohen persekutimit, varfërisë dhe dhunës në vendet e tyre, si Hondurasi, Guatemala dhe El Salvadori.
Por, presidenti Donald Trump e ka përshkruar karvanin e emigrantëve, që shpresojnë të kalojnë kufirin për të hyrë në SHBA si “pushtueS”, ndaj dhe ka dërguar rreth 5.800 trupa në kufirin jugor, për t’ua vështirësuar kalimin atyre.
Të mërkurën, gjithsesi Mattis u tha gazetarëve se Departamenti i Sigurisë së Brendshme nuk ka kërkuar aspak që trupat të përdorin “forcë vdekjeprurëse”, duke garantuar kështu të gjithë që të qëndrojnë të pashqetësuar.
Ai theksoi se ushtarët të armatosur me shkopinj dhe mburoja mund të kenë tagrin të ndalojnë emigrantët për “disa minuta, as orë nuk bëhet fjalë”, por jo autoritetin për t’i arrestuar ata.
“Nëse dikush sulmon një patrullues kufitar dhe nëse gjendemi në pozicionin për të bërë diçka për atë, sigurisht që do t’i ndalim ata nga ushtrimi i dhunës dhe do t’i dorëzojmë më pas te patrulluesit kufitarë, të cilët kanë edhe tagrin për t’i arrestuar”, tha Mattis.
Më herët gjatë kësaj jave, një gjykatës federal bllokoi një urdhër të lëshuar nga Trump për t’iu mohuar mundësinë e kërkimit të azilit emigrantëve që kalojnë kufirin në mënyrë ilegale.
Top Channel