Kosova ka dështuar në përpjekjen e saj për t’u anëtarësuar në Interpol. Ajo nuk ka mundur të marrë dy të tretat e votave të nevojshme, të vendeve që po marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit në Dubai, në dy raunde votimi që u mbajtën gjatë paradites së kësaj të marte.
Në raundin e parë, për Kosovën votuan 76 shtete pro, 56 ishin kundër dhe 22 abstenuan; ndërsa në raundin e dytë 68 vota ishin pro, 51 kundër dhe 16 abstenuan.
Në rendin e ditës të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme ishte pranimi i Kosovës, por edhe i Kiribatit dhe Ishujve Vanuatu.
Autoritetet kosovare kishin shfaqur shpresën se Kosova do të arrinte të anëtarësohej në organizatën ndërkombëtare të policisë, duke nënvizuar se Kosova i ka përmbushur kushtet në aspektin teknik, por duket se përpjekjet e Serbisë për ta parandaluar anëtarësimin kanë qenë më efikase.
Pas votimit, në një deklaratë për shtyp Qeveria e Kosovës shprehu zhgënjimin e saj të thellë, që Kosovës iu pamundësua anëtarësimi në Interpol.
“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, për më shumë kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik”, thuhet në deklaratë. “Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i shërben vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk duhet t’i gëzohet këtij fakti”, vijon deklarata.
Kosova ka aplikuar fillimisht për t’u anëtarësuar në INTERPOL në vitin 2010 dhe ka përsëritur kërkesën 5 vite më vonë. Në vitin 2017, Kosova kishte hequr dorë nga kërkesa për pranim në këtë organizatë, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.
Top Channel