Ka përfunduar me fitoren minimale 1-0 të 5 herë kampionëve të botës, miqësorja e luksit mes Brazilit dhe Uruguait, e luajtur në “Emirates Stadium” të Londrës.

Pjesa e parë u kontrollua nga brazilianët, veçanërisht deri rreth minutës së 30’, kur Neymar me shokë i shkuan disa herë pranë golit të avantazhit, por pa ia arritur dot.

Me kalimin e minutave, tensioni në fushë po rritej, ndërkohë që të dy skuadrat kërkonin të gjenin golin e fitores në një sfidë që kurrsesi nuk mund të ishte vetëm miqësore.

Në minutën e 76’ arbitri vendos të akordojë një penallti për Brazilin, ndërsa reagimi i uruguaianëve është vërtetë i ashpër, me Suarez dhe Cavanin që kërkojnë llogari për një faull në dëm të tyre, në nisje të aksionit.

Penalltinë e ekzekuton Neymar, që gjuan saktë dhe kalon Brazilin në avantazh, ndërsa uruguaianët humbin toruan dhe shkaktojnë disa faulle të rënda radhazi.

Në një prej tyre, Edison Cavani nuk kurseu shokun e skuadrës te Paris Saint Germain, Neymar, të cilin e “përplasi” në tokë, ndërsa më pas i tensionuar shkoi ta ngrejë në këmbë, por mori një vështrim aspak aprovues nga braziliani.

Gjithsesi vërshëllima e trefishtë e gjyqtarit të takimit pa si fituese skuadrën e Tites, që zhvilloi një 90-minutësh mjaft të mirë dhe meritoi triumfin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA