Procesi i shitjes së klubit të Bordeaux ka përfunduar. Fondi “General American Capital Partners” e bleu klubin e Ligue 1, në Francë, për shifrën e 100 milionë eurove.
Ata që e konfirmuan mbylljen e këtij transaksioni ishin drejtuesit e kompanisë franceze “M6”, që ishin në zotërim të klubit të Bordeaux që nga viti 1999.
Negociatat për kalimin e pronësisë nga “M6” te “General American Capital Partners” priteshin të mbylleshin përpara 15 ditëve, por ky transaksion u shty për shkak të disa problemeve administrative.
Bordeaux bëhet klubi i dytë francez që bëhet me pronarë amerikanë, pas Olympique Marseille, i cili para dy vitesh u ble nga manjati amerikan i pasurive të patundshme, Frank McCourt.
Bordeaux, 6 herë fitues i titullit kampion në Francë, në sezonin aktual të Ligue 1 ndodhet në vendin e 11, me 15 pikë të grumbulluara pas 12 ndeshjeve të zhvilluara.
Top Channel