Kylian Mbappe ishte shumë pranë kalimit te Reali i Madridit në verën e vitit 2017. Ishte “Football Leaks” që zbuloi dokumentet për këtë transferim, dokumente që janë publikuar nga e përditshmja “L’Equipe”.
Sipas këtyre dokumenteve, Reali i Madridit ishte gati të paguante 214 milionë euro për sulmuesin, përpara se ai të kalonte te Paris SG. Nga kjo shifër, 180 milionë euro do të shkonin në arkat e Monacos, ndërsa 34 milionë të tjera do të paguheshin në formën e interesit.
Pavarësisht tentativës së Florentino Perez, Mbappe zgjodhi në fund kalimin te Paris SG, klub të cilit drejtuesit e Monacos i kërkuan të barazonin ofertën e Realit të Madridit. Në fakt, transferimi i Mbappe te PSG u mbyll në ditën e fundit, në formën e huazimit me detyrim blerjeje për shifrën e 180 milionë eurove.
Por, për Mbappe është edhe një detaj tjetër që solli dështimin e tratativave me Realin e Madridit. Bisedimet u zhvilluan në Los Angeles dhe babai i futbollistit i tha Perezit se Reali do ta kishte rrugën e lirë për blerjen e Mbappe, nëse Perez do të paguante një komision prej 30 milionë eurosh.
Në këtë pikë, “Los Blancos” u tërhoqën nga gara për blerjen e sulmuesit, duke lejuar kalimin e tij te PSG-ja që pranoi edhe disa kushte; pagesën e bonusit për firmën e kontratës prej 5 milionë eurosh në dy këste për dy sezonet e para dhe një pagë vjetore prej 10 milionë eurosh, por jo vetëm kaq.
Sipas “Football Leaks”, mes klauzolave ishte edhe ajo e bonusit për fitimin e “Topit të Artë”. Nëse Mbappe do ta fitonte atë, paga e tij do të trefishohej dhe do të shkonte në 30 milionë euro. PSG-ja pranoi t’i paguajë 500 mijë euro neto futbollistit.
Top Channel