Imagjinoni sikur të shuanit etjen me ujë që nuk vjen nga një lumë, përrua apo liqen, por që vjen drejtpërdrejt nga qielli, nga ajri që ju rrethon. Kjo do të ngjasonte si fantashkencë, por është në fakt realitet dhe është e prekshme për këdo.
Teknologjia e re e zhvilluar nga “Watergen”, një kompani teknologjike me bazë në Izrael, aktualisht po prezantohet në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi. Por, si funksionon mrekullia që e kthen ajrin në ujë?
Gjeneratori i ujit atmosferik merr ajër nga ambienti përmes një filtri, e shndërron atë në vesë duke nxjerrë ujë përmes kondensimit. Uji më pas purifikohet, mineralizohet dhe është i gatshëm dhe i sigurtë për t’u konsumuar.
Makineria mund të prodhojë mesatarisht 600 litra uji të pastër në ditë. Ajo ka një rezervuar dhe një sistem trajtimi të ujit. Në Vietnam, me lagështinë e lartë të ajrit atje, makina mund të nxjerrë edhe më shumë ujë.
“Këtu në Vietnam, ne e testuam teknologjinë dhe patëm performancë më të mirë nga sa prisnim”, tha Michael Mirilashvili, president i “Watergen”.
Një makineri më e madhe mund të nxjerrë deri në 5.000 litra ujë në ditë, duke garantuar kështu ujë për rreth 2.500 persona. Ajo mund të instalohet në tarracë dhe të lidhet drejtpërdrejt me sistemin hidraulik të ndërtesës.
Kjo është në vetvete një arritje e madhe, duke pasur parasysh mungesën e ujit të pijshëm në pjesë të shumta të botës. Gjeneratori i “Watergen” është përdorur në vende si India, SHBA, Amerika Latine, Kina, Rusia e disa vende afrikane, dhe është cilësuar si një nga projektet “pioniere” të teknologjisë në Forumin Botëror Ekonomik të këtij viti.
Top Channel