Java ka nisur me zhvillime të reja politike për sa i përket çështjes së ministrit të Brendshëm. Të martën, mazhoranca do të mblidhet në një seancë jashtë radhe të Kuvendit të Shqipërisë, për të votuar shkarkimin e Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm.

Alfred Peza, në studion e emisionit “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, shpjegoi edhe pse në fakt kryeministri Edi Rama nuk ishte në të njëjtën frymë interpretimi kur doli një ditë më parë nga takimi me presidentin, por iu bëri thirrje deputetëve se nuk duhej ta komentonin vendimin e kreut të shtetit. Ndërsa disa kohë më parë, ka qenë po Rama që ka thënë se ky është presidenti më i mirë që ka pasur Shqipëria.

“Sa i përket qetësisë, zoti Rama është në lartësinë e të qenit lider i mazhorancës. Ky është një moment që duhet menaxhuar vërtet me qetësi. Çdo përplasje politike e publike, apo çdo akuzë dhe kundërakuzë që mund të hidhen nga të gjitha palët do të krijonin një tension artificial, siç po mundohet të krijohet nëpërmjet një akti artificial. Sa i përket lavdërimit, sigurisht që ka qenë një figuracion politik për një mesazh të caktuar publik në një moment të caktuar. Një përcaktim të tillë, nëse Meta do të jetë më i miri apo më i keqi, do ta japë historia”, theksoi Peza.

I pyetur nëse presidenti është brenda kornizës kushtetuese presidenciale, apo në këtë rast ka kaluar në një pozicion llogoreje opozitare në raport me qeverinë, Peza e ka quajtur thjesht një akt politik, që sipas ndërhyrjes së gazetarit Dyrnjaja ruan balancën mes pushteteve.

“Presidenti i Republikës nuk mund të bëjë një akt politik nëpërmjet një dekreti për një ministër, për aq kohë sa vet Kushtetuta e ka përcaktuar se, presidenti nuk mund të jetë anëtar i një partie politike në ushtrimin e detyrës, e së dyti, është përfaqësues i unitetit të popullit, që do të thotë i të gjithë popullit shqiptar dhe jo i popullit opozitar”, deklaroi Peza.

Gazetari Dyrnjaja e pyeti të ftuarin Peza nëse mazhoranca vazhdon të ketë besim tek Ilir Meta, se është ende kryetar shteti për të gjithë Republikën, pyetje ndaj së cilës deputeti Peza iu përgjigj me faktin se “besimi apo mosbesimi për Presidentin e Republikës apo për institucione kushtetuese nuk mund të zhbëhen me një akt apo një qëndrim.

“Sigurisht që është një proces ku do të sqarohen të gjithë rrethanat që e kanë çuar presidentin në këtë vendimmarrje, për t’u qartësuar gjithçka ka ndodhur. E mbi të gjitha që qeveria dhe qeverisja të vazhdojë në mënyrë normale funksionimin, pasi siç jeni në dijeni, Parlamenti do të mblidhet nesër për të shkarkuar formalisht ish-ministrin Xhafaj, ndërsa qeveria do të emërojë zv.ministrin e Brendshëm, i cili ndonjëse nuk do të ketë kompetencat kushtetuese, do të ketë fuqinë ekzekutive të një ministri”, tha Peza.

Pyetja më e rëndësishme drejtuar Sekretarit të PS për Marrëdhëniet me Mediet, Alfred Peza, ishte ajo që kishte të bënte me një nismë të mundshme të Partisë Socialiste për shkarkimin e Presidentit të Republikës, nëse marrëdhëniet Presidencë-Qeveri do të vazhdojnë të thellohen drejt një krize.

“Nuk mund të paragjykohet asnjë hap. Qëndrimi i Partisë Socialiste, pavarësisht opinionit të gjithsecilit, është ai i shprehur publikisht nga kryeministri Rama, që i ka bërë thirrje grupit parlamentar, sikurse edhe aktorëve dhe faktorëve të tjerë politikë të PS dhe mazhorancës, për qetësi në menaxhimin e kësaj situate. Në këtë udhëtim drejt një ngushtice të re të qeverisjes, ka sirena nga të dyja krahët për çdolloj veprimi dhe qëndrimi, qoftë edhe ‘in extremis’, siç mund të jetë rasti i ndërmarrjes së një hapi për shkarkimin e presidentit. Në këtë moment nuk ka një mendim dhe qëndrim të tillë”, garantoi Peza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA