Mjaftuan sërish pak minuta shi për të shkaktuar përmbytje në Durrës, ku paralajmërimet mund të vlejnë vetëm për anijet që lundrojnë në det, por jo për njerëzit në rrugët e shndërruar në lumenj.

Në Durrës janë përmbytur edhe pjesërisht trotuare në kryqëzimet e lagjeve të ndryshme të qytetit bregdetar. Qarkullimi i këmbësorëve dhe automjeteve është vështirësuar ndjeshëm. Intensiteti i reshjeve, si dhe amortizimi e bllokimi i rrjetit kullues nga mbetjet, e la ujin në sipërfaqe, veçanërisht në kryqëzimet e rrugëve pranë stadiumit “Niko Dovana”, te Lagjja e Re, te ish-parku sportiv, në afërsi të hyrjes së portit detar dhe përgjatë rrugës “Skënderbej”.

Moti i keq që ka përfshirë dy brigjet e Adriatikut ka shkaktuar probleme në portin më të madh të vendit, duke pezulluar veprimtarinë përpunuese dhe lundruese të tij. Por jo vetëm në Durrës. Kapiteneria e Përgjithshme e Porteve Detare ka urdhëruar marrjen e masave nga autoritetet dhe operatorët portualë në të katër portet e vendit, për të shmangur incidentet e mundshme nga dallgëzimi i fortë, që rregjistron forcën 8-9 ballë në det të hapur.

Tragetet e linjës Bari-Durrës, që duhej të niseshin nga Porti i Barit mbrëmjen e së hënës kanë nisur lundrimin drejt Durrësit vetëm mëngjesin e së martës. Edhe tragetet nga Durrësi janë nisur drejt Italisë me disa orë vonesë.

Reshjet e dendura dëmtuan vitrina dyqanesh pranë stacionit të autobusave në Vlorë si dhe pemët kryesisht në zonën e skelës.

  Pa Koment – Moti i keq godet Vlorën

Edhe në Vlorë, deti me fuqi deri në 8 ballë e ka bërë të pamundur lëvizjen e mjeteve lundruese. Nga kapiteneria konfirmohet se të gjitha mjetet lundruese janë urdhëruar që të mos dalin në det për shkak të erës së fortë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA