Partia më e madhe opozitare në Maqedoni, VMRO-DPMNE ka dorëzuar në Kuvend propozim-ligjin për amnistimin e të gjithë personave të përfshirë në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar në Parlament.

“Drafti u dorëzua me procedurë të shkurtuar, presim që deputetët e pozitës të jenë konstruktiv në debate dhe të tregojnë se premtimet e tyre nuk janë gënjeshtra, kur premtojnë drejtësi dhe pajtim kombëtar. I bëjmë apel edhe kryeministrit Zaev që të jetë më aktiv në miratimin e ligjit për amnisti”, deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev.

Sipas deputetit Danev, me këtë propozim-ligj sigurohet drejtësi për të gjithë, pajtim i vërtetë kombëtar, në vend të drejtësisë selektive të cilën e propozon LSDM-ja. Me ligjin për amnisti parashihet dhe rregullohet mënyra e lirimit nga ndjekja penale, ndalja e hetimeve dhe lirimi i plotë nga mbajtja e burgut.

Ideja e një aministie të tillë u hodh përpara votimit të ndryshimeve kushtetutese në Parlamentin maqedonas, ku qeverisë i nevojitej mbështetja e opozitës për kalimin e tyre, por Zaev vetë deklaroi më pas se nuk ka artikuluar diçka të tillë.

Nga LSDM-ja vleresojnë se propozim-ligji për amnisti është një ndërhyrje brutale në sistemin e drejtësisë.

“Nuk guxojmë të lejojmë që për zënka partiake ta rrënojnë parimin e sundimit të së drejtës”, thonë ligjvënës të kësaj partie.

Ligjin për amnisti e miraton Parlamenti me 61 vota. Për incidentin në Kuvend, më 27 prill të vitit 2017, akuzohen 33 persona, 31 nga të cilët për kërcënim të rendit kushtetues të shtetit, ndërsa dy të tjerë për nxitje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA