“Amnesty”, shuplakë Turqisë: Trajtim “i turpshëm” i viktimave të spastrimeve pas puçit

25/10/2018 13:07

“Amnesty International” kritikoi këtë të enjte atë që e quajti trajtim “të turpshëm” të nëpunësve civilë turq, të cilët janë shkarkuar që prej përpjekjes së dështuar për grusht shteti të vitit 2016, për rrëzimin e presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Pothuajse 130 mijë punonjës të sektorit publik u shkarkuan me dekret gjatë gjendjes së emergjencës pas puçit të dështuar, për shkak të lidhjeve të pretenduara të tyre me komplotuesit, organizatat terroriste apo grupet e tjera që përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare turke. Ata që besojnë se janë shkarkuar pa të drejtë, mund të aplikojnë në një komision të ngritur enkas për të rishikuar rastet e tyre, e ndoshta për t’u rikthyer në punë apo për t’u kompensuar.

Gjithsesi, “Amnesty International” njofton se shumë prej tyre u shkarkuan pa asnjë justifikim, duke e bërë kësisoj të vështirë të sfidohet në rrugë gjyqësore shkarkimi. Një pjesë e madhe e tyre janë ende “në pritje të drejtësisë” dhe përballen me “të ardhme të pasigurtë”, thotë “Amnesty”, teksa shton se deri më tani, vetëm 6.000 persona janë rikthyer në vendet e tyre të punës.

Mes të shkarkuarve janë më shumë se 33.500 mësues dhe 31.500 oficerë policie. “Komisioni ka dështuar të respektojë standardet ndërkombëtare dhe po vepron si një vulosës ‘de facto’ i vendimeve të meta të marra fillimisht”, tha Andreë Gardner, menaxher strategjik dhe kërkimi i “Amnesty International” në Turqi. “I gjithë procesi është një fyerje e turpshme për drejtësinë”, shtoi ai në deklaratë.

Grupi i të drejtave të njeriut tha se mungesa e proceseve efektive të apelimit ishte një nga “shkeljet më të këqija të të drejtave të njeriut gjatë periudhës së gjendjes së emergjencës”.

“Amnesty” kritikoi edhe arsyet “e padëmshme” të dhëna për shkarkimin e disa prej tyre. Sipas organizatës, arsyeve të dhëna nga komisioni për ruajtjen e vendimeve të shkarkimit “shpesh iu mungojnë përputhshmëria dhe bazimi në ligjet ekzistuese”.

Turqia akuzon klerikun mysliman që jeton në SHBA, Fethullah Gulen, dhe lëvizjen e tij “FETO” se kanë urdhëruar grushtin e shtetit, një pretendim që ai e ka hedhur poshtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA