Procesi i shitjes së klubit Bordeaux, në Ligue 1, te “General American Capital Partners”, i parashikuar për t’u mbyllur këtë të martë, shtyhet me 15 ditë.
Grupi francez “M6”, që është në zotërim të këtij klubi që nga viti 1999, pritej që të nënshkruante akordin për kalimin e pronësisë në një takim në Paris, për vlerën e 75 milionë eurove, por ky transaksion nuk u mbyll dhe, sipas presidentit të Bordeaux, Stephane Martin, shkak u bënë disa probleme administrative.
Shefi ekzekutiv i “M6”, Nicolas de Tavernost theksoi se, pavarësisht shtyrjes, shitja e klubit nga Ligue 1 nuk është aspak në rrezik. Pengesa e fundit në këtë proces ishte vota e Këshillit Bashkiak të Bordeaux, që u dha në mbledhjen e zhvilluar më 12 tetor.
Akordi për shitjen e Bordeaux tek investitorët amerikanë u arrit 2 vite pas shitjes së Marseilles, që u ble nga manjati amerikan i pasurive të patundshme, Frank McCourt, ish-pronari i skuadrës së Los Angeles Dodgers.
Bordeaux është një prej klubeve më të suksesshme franceze, që ka fituar 6 herë titullin kampion në Ligue 1. Në sezonin aktual, Bordeaux është në vendin e tetë të klasifikimit në kampionatin francez, me 14 pikë të grumbulluara pas 10 ndeshjeve.
Top Channel