Bushati në Poloni: Shqipëria rast unik për reformën në drejtësi

24/10/2018 19:59

Ministri Ditmir Bushati mori pjesë në Forumin e Sigurisë së Varshavës. Synimi i këtij Forumi të themeluar që në 2014, është të mbledhë së bashku politikëbërësit kryesorë, udhëheqësit e industrisë, si dhe ekspertët ushtarakë dhe civilë nga e gjithë bota për të diskutuar mbi ngjarjet, mundësitë dhe sfidat që shtrihen përpara për Komunitetin Transatlantik.

Gjatë këtij Forumi, Ministri Bushati mbajti fjalën e tij si panelist në sesionin Ministerial me temë “të gjesh drejtimin në kohë të vështira- BE dhe Ballkani Perëndimor”, ku u diskutuan disa nga çështjet që lidhen me procesin e Integrimit Evropian të Ballkanit Perëndimor, pritshmëritë dhe të ardhmen e procesit të Berlinit, në kuadër të Samitit që do të mbahet në Poloni.

Në fjalën e tij, ministri Bushati e vuri theksin tek procesi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, përmes konsolidimit të reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. “Ne po përjetojmë procesin e zgjerimit nëpërmjet reformimit të fushës së sundimit të ligjit si një prioritet i Ballkanit. Sundimi i ligjit është parakusht për ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe për zhvillimin ekonomik. Shqipëria është rast unik për reformën e saj në drejtësi jo vetëm për integrimin në BE por edhe për modernizimin e shoqërisë”, nënvizoi ai.

Gjatë punimeve të këtij forumi, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Polonisë, Jacek Czaputowicz. Ministrat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira institucionale dhe politike midis dy vendeve, dhe shprehën interesin për intensifikimin e dialogut politik, në kuadrin dypalësh dhe shumëpalësh.

Ministri Bushati vlerësoi angazhimin e Polonisë në organizimin e Samitit të radhës të Procesit të Berlinit si një shprehje të angazhimit të Polonisë me BP dhe procesin e Zgjerimit të BE-së. Kreu i diplomacisë konfirmoi se Shqipëria mbetet tërësisht e angazhuar në realizimin e agjendës së saj evropiane, duke nënvizuar se përmbushja e rekomandimeve është vullnet i qeverisë, jo vetëm në kuadër të integrimit, por mbi të gjitha për të ardhmen e vendit. Ata ranë dakord për një angazhim më të madh në thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë siç është infrastruktura dhe turizmi.

Top Channel