Përfytyroni një mëngjes të premteje kur nuk zgjoheni nga alarmi i ziles. Nuk bëni atë rrugën e përditshme për në punë. Do të zgjoheni vetëm me idenë e këndshme që ju presin tre ditë pushim, dhe që do t’i shijoni për çdo javë.
Mund të duket si ëndërr, por katër ditë punë në javë, me rrogë të plotë, është një ide që po përqafohet shpejt e nga mw shumë njerwz. Muajin e shkuar e mbështeti edhe Kongresi i Unionit Tregtar, ndërsa kancelari në hije, John McDonnell, dha të kuptohej se mund të përfshihej në programin e ardhshëm qeverisës së laburistëve.
Dhe pse jo? Kush mund të thotë që puna e përditshme duhet të vazhdojë me formën e pesë ditëve në javë. 37.5 orë në javë? Në vitet 1800, standardi ishte gjashtë ditë në javë, 60 orë punë. Në vitin 2100 ndoshta do të thonë po njësoj se si ne e do të habiten se si punonim kaq shumë orë. Gjatë shekullit të shkuar, orët e punës janë ulur dy herë, të dy herët pas luftërave botërore. Që atëherë, s’ka pasur më ndryshim. Në 70 vite janë hequr vetëm 2 orë e gjysmë.
Sigurisht, mbetet pyetje se si mund të përballohen katër ditë punë në një kohë kur s’ka rritje rrogash, kur çmimet sa vijnë e rriten e kur shumica e punëve janë me pagë të vogël. Shumica e njerëzve s’e përballojnë dot t’u ulet paga me 20%, ndaj kjo bën që puna me katër ditë në javë të mbetet ëndërr.
Por nëse duhet të mësojmë diçka nga historia, zhvillimi teknologjik, që nga shpikja e rrotës e deri te makinat larëse na kanë bërë më të pasur, kolektivisht, duke na mundësuar të bëjmë më shumë gjëra në të njëjtën kohë. 20 vite më parë do të nevojitej një njeri në supermarket për të mbledhur koshat. Sot, ai person mund të shohë katër ose pesë veta njëherësh që përdorin vetë-shërbim.
Kështu beson Kongresi i Unionit Tregtar se mund të bëhet realitet java me katër ditë. Teksa automatizimi dhe inteligjenca artificiale na bëjnë më të pasur, ne duhet të zgjedhim, teorikisht: të punojmë më pak orë për të njëjtën rrogë, apo të punojmë po aq orë, por me rrogë më të madhe. Ka arsye të mira për të shkuar te e para: të sakrifikohet pak rritje ekonomike që të kemi të gjithë më shumë kohë të lirë. Kjo do të ishte më mirë për planetin, e sigurisht që edhe për mirëqenien tonë. Mund të na bëjë edhe më produktivë kur jemi në punë.
Por ka dy pengesa për ta realizuar këtë. Britania thjesht nuk po investon në zhvillimin teknologjik, në asgjë që të arrijë nivelin që na duhet për të qenë më produktivë. (Prandaj, thirrjet për taksa mbi robotët janë pa lidhje ekonomike.) Dhe ndërsa teknologjia na ka bërë më të pasur kolektivisht, disa ia kanë dalë më mirë pa të se të tjerët. Kur ulet aftësia e punëtorëve për të kërkuar rroga më të larta, shefat e supermarketeve që kanë investuar në teknologji vetë-shërbimi mund t’i marrin të gjitha fitimet vetë.
Ky është çekuilibri i pushtetit që e bën aq të rëndësishme pyetjen se si mund të shkojmë drejt javës me katër ditë. Historikisht, uljet e kohës së punës kanë ardhur si pasojë e marrëveshjeve me sindikatat. Por sot, vetëm 26% e punëtorëve janë të mbuluar nga marrëveshjet kolektive, të mbrojtura nga sindikatat. Në vitet ’70 ishin rreth 70%. Sindikatat nuk e kanë aftësinë të sjellin ndryshime në ditët e javës e të garantojnë njëkohësisht që punëtorët të paguhen po njësoj. Nëse qeveria urdhëron një javë katër-ditore nesër, punonjësit do të kishin ulje rroge të menjëhershme.
Për fat, ka një mënyrë tjetër. Ndërkohë që java mesatare shkon në 37 orë punë, për ata që punojnë me kohë të plotë, mesatarja në total është 32 orë në javë, që është shumë pranë një jave katër-ditore. Punët me kohë të pjesshme kanë edhe një ndryshim të madh midis gjinive. Katër në 10 femra paguhen me kohë të pjesshme dhe vetëm një në tetë burra. Rregullimi i këtij ndryshimi do të ishte çelësi për të arritur javën katër-ditore.
Disa mund të thonë se kjo nuk ka lidhje me shtetin. Familjet i ndajnë fitimet dhe përgjegjësitë siç dëshirojnë. Por është diçka që shteti duhet ta ketë shumë kujdes. Gratë kanë më shumë gjasa që të punojnë me kohë të pjesshme, dhe kjo shpjegon hendekun gjinor për pagat. Kjo i zmbraps femrat në punë dhe e bën më të vështirë që të marrin rritje në detyrë e rritje pagash. Deri kur më shumë burra, sidomos ata në poste kyçe, të punojnë me kohë të pjesshme, vendet e punës nuk do të zhvillohen kurrë. Të paktën jo mjaftueshëm që të kemi zhvillim, edhe pse punojmë tri ditë në javë. Është më mirë edhe për fëmijët që të kenë marrëdhënie më të ngushta me prindërit, dhe kjo bëhet e mundur kur përgjegjësitë në familje ndahen në mënyrë të barabartë.
Sofia Parker, drejtoresha ekzekutive e Little Village, i ka vendosur javët e punës me kohë të pjesshme si standard për shoqatën e saj, që të tërheqë njerëz ambiciozë që nuk duan të punojnë me kohë të plotë. Ajo punon tri ditë në javë dhe kujdesin për fëmijët e ndan në mënyrë të barabartë me të shoqin, i cili po ashtu punon për tri ditë te Aviva. “Jo vetëm që Uilli i është afruar rolit të gruas, por më është dashur të bëj unë pas që të futet ai në lojë”, më thotë ajo. “Është diçka që më duket e vështirë për ta bërë, sidomos pasi kam qenë kujdestarja e familjes për shumë vite. Identiteti im ishte shumë i lidhur me kujdesin ndaj fëmijëve e punët e shtëpisë”, thotë ajo.
Dhe trendi po shkon në këtë drejtim. Shumica e baballarëve të rritur pas vitit 2000 thonë që do të pranonin një ulje rroge për një ekuilibër më të mirë jetë-punë. Dhe më shumë se gjysma thonë se kujdesi për fëmijët duhet ndarë në mënyrë të barabartë. Por baballarët mund të hasin shpesh diskriminim nga punëdhënësit nëse prishin traditën e stereotipit kulturor dhe kërkojnë fleksibilitet në punë.
Shteti mund të bëjë më shumë për të mbështetur çiftet që ta ndajnë kujdesin për familjen në mënyrë të barabartë e t’i fitojnë të ardhurat në mënyrë të barabartë. Nënat dhe baballarët në Britani, tani mund të marrin leje lindjeje gjatë vitit të parë të fëmijës. Por pak baballarë e kanë marrë lejen. Burrat fitojnë më shumë, dhe leja e lindjes u paguhet më pak se grave. Kjo do të thotë që nuk ka kuptim financiar, plus që punëdhënësit mund ta shohin shtrembër një burrë që kërkon leje lindjeje.
Kjo është ndryshe në Islandë, ku çdo partner mund të marrë nga tre deri në nëntë muaj leje, ngaqë ligji atje është “po s’e more lejen, e humb”. Kështu që është bërë më e pranueshme nga ana kulturore që ta marrin edhe burrat. Shumica e baballarëve në Islandë tani rrinë tre muaj në shtëpi, pas lindjes, e kujdesen për fëmijët. Këta baballoarë jo vetëm që bëjnë më shumë gjëra në shtëpi, edhe për vitet më pas, por mund të përshtaten më shumë edhe me fleksibilitetin në punë, për sa i përket orareve, në planin afatgjatë.
Mënyrat e vjetra për të fituar një ditë më pak pune në javë, si marrëveshjet me sindikatat, nuk janë më njësoj. Për vendosja e një leje lindjeje për çdo prind do të ndihmonte që të krijohej një normë shoqërore që asnjë baba e asnjë mama nuk duhet të punojë më shumë se tre katër ditë në javë, një normë që mund të vendosë standardin edhe për njerëzit që nuk kanë fëmijë. Ndarja e barabartë e fitimeve dhe pushimeve është mënyra më e mirë për të shkuar drejt javës me katër ditë punë.
Top Channel