Kombëtarja shqiptare doli me kokën ulur nga “Turner Stadium” i Beer Shevës, pasi u mposht nga Izraeli me rezultatin 2-0, duke i komplikuar jashtë mase pozitat e saj në Grupin 1 të Ligës së Kombeve, pasi ka mbetur në kuotën e 3 pikëve.

Kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e fundit ndaj Skocisë në “Loro Boriçi” dhe shanset që të arrijnë të kualifikohen si skuadra e vendit të parë në grup janë minimale, megjithatë matematika jep edhe një shpresë. Në rast se kombëtarja fiton me Skocinë dhe kjo e fundit ndaj Izraelit, atëherë të treja skuadrat do të jenë në kuotën e 6 pikëve. Në këtë aspekt, gjithçka do të varet nga golavarazhi.

Shqipërisë do t’i duhet që ndaj Skocisë të fitojë me rezultatin e thellë 4-0 për të pasur golavarazhin 5-4 dhe të shpresojë në fitoren e Skocisë ndaj Izraelit me rezultatet 1-0, 2-0 ose 3-0. Nëse ky skenar do të realizohet, kriteri i golave të shënuar do t’i jepte të drejtën Kombëtares të zinte vendin e parë në grup.

Ndërkaq, pas përfundimit të ndeshjes me Izraelin, një pjesë e mirë e futbollistëve është larguar direkt nga Tel Avivi për në drejtim të klubeve respektive për ndeshjet e tyre në kampionate, ndërkohë që kishte nga ata që u larguan në paraditen e kësaj të hëne.

Edhe trajneri Christian Panucci u largua menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, me italianin që pati një problem familjar, pasi nëna e tij ka shfaqur probleme shëndetësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA