Bushati uron studentët: Përfituesit e integrimit, por edhe humbësit e sherreve politike

15/10/2018 10:03

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka uruar pak më ndryshe studentët për këtë vit të ri akademik, duke qenë dhe vit mjaft intensiv përsa i përket çeljes së negociatave qershorin e 2019.

Në këtë kontekst, Bushati uron të rinjtë për këtë vit studimesh duke theksuar se përfshirja e tyre në jetën publike është investimi më i sigurtë i të ardhmes europiane.

“Suksese të gjithë studentëve në mbarë vendin për vitin e ri akademik! Rruga që keni nisur sot nuk është një rrugë me petale e as me gjemba, po një rrugë që duhet të bazohet fort te dija dhe te puna. Investoni në dije për veten, familjen dhe atdheun tonë të përbashkët. Ju jeni oponentët e vërtetë të punës sonë dhe testi final i reformave të ndërmarra, arritjeve dhe dështimeve tona. Ju jeni në fakt përfituesit më të mëdhenj të procesit të integrimit europian, por njëkohësisht edhe humbësit më të mëdhenj nga sherrnajat politike të brendshme. Prandaj, përfshirja juaj aktive në jetën publike është investimi më i sigurtë i të ardhmes sonë europiane”, uron Bushati në Facebook.

Këtë herë Bushati ka zgjedhur të urojë shoqëruar me një foto të studentëve me përfaqësuesen e lartë për politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Top Channel