Afati i vendosur nga qeveria për mbylljen e basteve sportive deri më 31 dhjetor, nuk e ka shqetësuar tani për tani aktivitetin ditor të industrisë së bixhozit.
Të shtunën nëpër lagjet dhe rrugët e kryeqytetit, pikat e basteve sportive i hapën qepenat që në orët e para të paradites. Në të gjithë vendin janë rreth 4500 pika bastesh, të cilat me sa duket do të shfrytëzojnë gjithë afatin e mbetur për të punuar.
Projekt-ligji i miratuar nga qeveria, dhe që pritet të kalojë në kuvend parashikon mbylljen totale të basteve sportive nga data 1 janar e vitit të ardhshëm. Ndërsa për kazinotë elektronike hyn në fuq neni për shpërnguljen e tyre jashtë qendrave të banuara. Por edhe kjo industri mesa duket nuk ka ndërmend të largohet nga qytetet përpara skadimit të afatit.
Sipas deklarimeve zyrtare në Tatime, vitin e kaluar industria e kumarit qarkulloi rreth 130 milionë euro. Vendimi i qeverisë pritet t’i reduktojë ndjeshëm të dy këto aktivitete, por veçanërisht bastet, të cilat nga 1 janari do të lejohen vetëm online.
Kufizimi i kumarit ka dy pasoja kryesore. E para është rënia e të ardhurave në buxhet. Aktualisht qeveria mbledh rreth 40 milionë euro në vit nga taksat e bixhozit. Pas 1 janarit kjo shumë me gjasa do të jetë më e vogël.
Pasoja e dytë është punësimi. Mbi 9 mijë vetat e punësuar në industrinë e bixhozit duhet të gjejnë një punë të re. Por të dy këto efekte, si rënia e taksave ashtu dhe punësimi, duken të papërfillshme përballë pasojave të rënda sociale që vijnë nga bixhozi dhe rreziqeve, që ka kjo industri për pastrim parash dhe fuqizim të krimit.
Top Channel