Edhe pse konfirmoi se drafti i propozuar nga ekspertët e kontraktuar pas takimeve pozitë-opozitë dhe ekspertëve ndërkombëtarë e vendas, Bledi Çuçi, i ftuar këtë të martë në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, pranoi se palët janë ende në distancë.

Një distancë që u vu re edhe në tryezën e kësaj të marte për Reformën Zgjedhore, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të partive të vogla, diplomatë ndjekës të këtij procesi dhe teknicienë, por jo opozita.

“Distancën nuk e krijuam ne, por opozita që ka bojkotuar Kuvendin dhe komisionet parlamentare, e në këtë rast ka bojkotuar edhe komisionin për Reformën Zgjedhore, që për hir të së vërtetës, deri në fund të korrikut ka funksionuar në mënyrë të shkëlqyer dhe me produkt të shkëlqyer. Ka dokumente të tëra, konkluzione, mendime ekspertësh, propozime të tyre, sikurse edhe mendime të shoqërisë civile, të partnerëve tanë dhe organizatave ndërkombëtare për çështje të caktuara që lidhen me reformimin e procesit zgjedhor. Të gjitha këto ne i kemi të administruara dhe rezultat i tyre ishte edhe ky normim që i bëë ekspertët sot”, deklaroi Bledi Çuçi.

Pa vetting në politikë, opozita thotë se nuk do të ketë Reformë Zgjedhore. Por si do të zgjidhet ky ngërç dhe çfarë përpjekjesh do të bëjë qeveria për t’u përafruar me opozitën?

“Ky është thjesht sebepi i radhës i opozitës, sepse nuk ka ndodhur asgjë që nga korriku, kur opozita ishte ulur në tryezë me ne për Reformën Zgjedhore, asgjë nuk ka ndodhur në Shqipëri. Opozita thotë se është kriminalizuar qeverisja, por kur ndodhi kjo, gjatë gushtit? Pra, ky është një sebep që nuk ka të bëjë fare me çështjen e Reformës Zgjedhore, por thjesht një sebep që opozita të bojkotojë çdo tryezë politike, zyrtare ose jo, për të mirën e shqiptarëve. Çështja e vettingut që futet si element i ri, apo si kusht i ri i opozitës besoj se nuk ka nevojë për shumë interpretime, sepse edhe për këtë çështje ne e kemi thënë fjalën tonë. Ai që thotë fjalën e fundit sesa e përputhshme është kjo me Kushtetutën e Shqipërisë është Komisioni i Venecias. Prandaj nxituam që t’ia çonim Komisionit të Venecias për të na dhënë një opinion në lidhje me nismën e opozitës. Komisioni ka ritmin e vet dhe ne nuk mund ta diktojmë dot atë, por diktojmë ritmin tonë, gjë që për këtë rast ka qenë shumë i shpejtë”, tha Çuçi.

Problemi në këtë pikë është se, koha që nevojitet për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias mund të bëjë që të shtyhet pakësojë kohën për Reformën Zgjedhore dhe pa këtë reformë do të kemi sërish probleme me procesin e ardhshëm zgjedhor. Për këtë arsye, ne mund të gjendemi përsëri para një procesi zgjedhor pa reformën e duhur zgjedhore.

“Për këtë arsye takimi i sotëm ishte shenjë dhe demostrim i vullnetit tonë si forcë politike, i përgjegjshmërisë sonë para qytetarëve shqiptarë, para partnerëve tanë ndërkombëtarë, ndaj organizatave në të cilat Shqipëria aderon dhe prej të cilave ka detyrime, siç janë OSBE-ja dhe Këshilli i Europës, pikërisht për të thënë këtë gjë. E zëmë se opozita nuk do të pritet Komisioni i Venecias, sepse ikën koha për Reformën Zgjedhore, gjë që është budallallëk me brirë, sepse opozita mund të ishte e pranishme në komisionin ad hoc për këtë reformë, ne mund të ecnim me projektet dhe pika e vettingut mund të priste. Madje opozita vet duhet të ishte në komision që të thoshte se duhet të nxitojmë dhe të mos presim opinionin e Venecias. Ndaj mendoj se është sebep dritëshkurtër i vizionit të opozitës. E rëndësishme është që të paktën këtë radhë ne të jemi të qartë para qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë”, tha Çuçi.

Në krah të qeverisë, ndoshta për koinçidencë, del edhe Ambasadorja gjermane me apelin e saj të drejtpërdrejtë ndaj opozitës për t’u rikthyer në Komisionin e Reformës Zgjedhore për të vijuar punën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA