Kamera e Top Channel ishte te banesa e Ramazan Muçës , gyshit të Xhisiela Malokut nga e ëma, ku mbrëmjes e së dielës shpërtheu një sasi tritoli.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 23:30 në fshatin Larushk të Fushë Krujës. Lënda plasëse është hedhur nga rruga, në oborrin që lidhet me banesën e një të afërmi tjetër të familjes së Xhisielës.

Kjo e fundit, në momentin e shpërthimit gjendej në banesë, ndërsa policia shoqëroi 9 persona.

Pas bërjes publike të historisë së saj nga oficeri Emiljano Nuhu, Xhisiela jeton në këtë banesë. Kur u kthye në shtëpi në mesditë, 25-vjeçarja çuditi jo pak, kur për ngjarjen fajësoi opozitën.

“Mendoj se është më se e qartë që është bërë nga PD-ja dhe opozita. Unë nuk jam e kërcënuar nga fisi Rraja. Deri dje, hipotezat ishin se jam e kërcënuar nga fisi Rraja. (TCH: Pse mendoni se e ka bërë opozita?) Unë dola e thashë të vërtetën, opozita luajti një lojë politike dhe doli blof. Unë jam Xhisiela dhe të vërtetën e di unë dhe vetëm unë, e askush nuk mund të hedhë hipoteza. Deri dje nuk isha e rrezikuar, tashmë mendoj se ndihem e rrezikuar nga opozita që më sulmon drejtpërdrejt”, tha Xhisiela Maloku.

Xhisiela tha se është sqaruar me Rexhep Rrajën, për të cilin gjykata caktoi para pak ditësh masën e sigurisë arrest me burg. Po ashtu, 25-vjeçarja nga fshati Zezë, historia e së cilës përfshiu në një valë akuzash politikën dhe Policinë e Shtetit, tha se ka komunikim të vazhdueshëm me familjen e ish-të dashurit të saj. Xhisila përjashtoi edhe mundësinë e largimit nga Shqipëria për të kërkuar azil.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA