Kombëtarja shqiptare e U21-shit do të luajë ndeshjet e radhës të kualifikueseve të “Euro 2019” ndaj Spanjës dhe Estonisë.
Skuadra e Alban Bushit do të kërkojë ndaj iberikëve që të mos përsërisë paraqitjen e bërë një muaj më parë, e pse jo edhe të marrë një rezultat pozitiv.
“Edhe pse jemi jashtë objektivit për kualifikim, po i vlerësojmë maksimalisht këto dy ndeshje. Jemi një skuadër që gjatë ndeshjeve në grup kemi dhuruar emocione, por në momente të ndryshme na ka munguar edhe përqendrimi për të arritur rezultatin pozitiv. Spanja është shumë e fortë, por ne do të futemi në fushë pa këtë ndrojë, por duke dhënë 200 për qind të mundësive tona, pse jo për të arritur edhe një rezultat pozitiv”, tha Gentian Selmani.
Në të njëjtën linjë me Selmanin qëndron edhe Albi Doku, i cili shtoi se skuadra jonë përfaqësuese nuk e ka më presionin e kualifikimit. Kjo mund ta ndihmojë atë të bëjë një lojë të bukur.
“Përballë në këto dy ndeshje të fundit kemi Spanjën dhe Estoninë. Nisim me një kundërshtar shumë të fortë, por futemi në fushë pa frikë. Tashmë potencialet e një skuadre si Spanja njihen, por ne do të bëjmë më të mirën tonë, duke dhënë më shumë se maksimumin në fushë. Kërkojmë që të bëjmë një mbyllje sa më pozitive në këto eliminatore. Mendoj se kemi bërë ndeshje të mira dhe mbase me pak kujdes mund të kishim më shumë pikë tani, por jemi ndëshkuar nga gabimet tona. Sidoqoftë kemi bërë lojën tonë dhe kemi pasur shanset tona. Edhe me Spanjën e Estoninë do të japim më të mirën tonë”, tha Albi Doku.
Kombëtarja shqiptare e U21-shit do të luajë ndeshjen me Spanjën në “Selman Stërmasi”, më 11 tetor në Tiranë, ndërsa më 16 tetor do të luajë ndaj Estonisë në fushën e kësaj të fundit. Pas 8 ndeshjeve të zhvilluara, Shpresat gjenden në vendin e parafundit të grupit 2, me 6 pikë të grumbulluara.
Top Channel