Edi Rama u rikthye në grupin parlamentar socialist për të folur për “Babalen” dhe protagonistët e audiopërgjimit me autor të pretenduar vëllain e ministrit të Brendshëm.

Një bisedë që nuk ka ndodhur kurrë, sipas kryeministrit, që përveç përgjigjes shkencore të laboratorit britanik tregon se vet aktori, Fredi Alizoti ka rrëfyer për pazarin e ofruar nga regjisori.

“Është vet aktori i papaguar sipas premtimit të dhënë në emër të Lulzim Bashës që tregon. Ky që kërkon vetting për politikanët nuk ka mbajtur fjalën e dhënë dhe aktori ka tradhtuar regjisorin”, tha Rama.

“Babalja” nuk ra nga qielli në selinë e PD-së, thotë Rama, që është i bindur se nuk e ka dërguar atje gazetari Jetmir Olldashi. Kryeministri tregon si autor, vet Lulzim Bashën.

“Loja po mbaron! Do të zbardhet deri në fund edhe pjesa ende e pazbardhur e Babale 1-shit”, tha Rama.

Rama foli edhe për atë që e quan “Babale 2”, thënë ndryshe çështja e Xhisiela Malokut, duke komentuar edhe mbi autorësinë e tritolit të hedhur në banesën e saj.

“Kush është i interesuar të krijojë idenë se vajza është nën presion psikologjik? Ata që e përdorën”, tha Rama.

Kryeministri thirri në ndihmë ish-ministren e tij të Integrimit, Klajda Gjoshën, të cilës i kërkoi të kontrollojë pamjet e kamerave të Policisë së Fushë Krujës, për të vërtetuar praninë e pretenduar të Taulant Ballës.

“Nëse do të gjesh aty Taulantin apo policin që akuzon, do të votoj bashkë me ty për t’i hapur rrugën arrestimit të tij”, tha Rama.

Rama foli edhe për Reformën Zgjedhore, duke shpjeguar përse – sipas tij, – Basha i vuri shkelmin asaj, ndonëse socialistët i pranuan kërkesën për pilotimin e elektronikës.

“Po çfarë do ky? Po iua them unë se ma ka thënë Luli: Pushtet në tavolinë! Një herë unë, një herë ai. Edhe gjysmën e zemrës mund t’ia jap, por pushteti nuk është i yni”, tha Rama. Gjithsesi, kryedemokrati mohoi t’i ketë kërkuar një gjë të tillë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA