Rama: Sfida, prodhimet “Made in Albania”. Basha: Bizneset po mbyllen

06/10/2018 15:33

Kryeministri Rama vizitoi një biznes fason në Durrës ku aktualisht punësohen 430 punonjëse. Bëhet fjalë për një nga fabrikat më të mëdha në vend të veshjeve që ka arritur të mbyllë ciklin e prodhimit duke zgjeruar kapacitetet prodhuese.

“Ky është kalimi në një nivel tjetër i gjithë sistemit, pasi fasoni klasik ishte material porositës, merre dhe vetëm qep. Tani kalimi në ciklin e mbyllur është hapi që kemi dëshiruar ne të ndodhë”, deklaroi kryeministri.

Gjatë bisedës me drejtuesin e sipërmarrjes, Rama kërkoi që pas mbylljes së ciklit të prodhimit, sfida tjetër të jetë produkti “Made in Albania”, që sipas Kryeministrit do të sjellë më shumë të ardhura dhe rroga më të mira.

“Tani hapi tjetër, i treti është që të fillojnë modelet këtu. Të fillojë të kalohen në “Made in Albania” me shumë më tepër produkte. Se ka disa që kanë filluar, sidomos tek këpucët, por kjo do tani një angazhim të një lloji tjetër, sepse kjo do rrisë shumë dhe të ardhurat, do rrisë shumë dhe rrogat”, tha Rama.

Por demokratët kanë tjetër perceptim për gjendjen e biznesit në vend. Lulzim Basha denoncoi përmes një postimi në mediat sociale se vetëm në shtator janë mbyllur 1978 biznese, dyfishi, sipas tij, krahasuar me një vit më parë. Me një videomesazh, kryetari i PD-së flet për gjendjen e vështirë që ai thotë se po kalojnë bizneset, pasi “vëmendja e Kryeministrit është te krimi dhe oligarkët”, thotë Basha, e jo te sipërmarrësit e ndershëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA