Demokratët vijojnë t’i kërkojnë kryeministrit që të mos heshtë në lidhje me çfarë kanë regjistruar kamerat e sigurisë në Stacionin e Policisë së Fushë Krujës 21 korrikun e kaluar, kur n/komisar Nuhu pretendon se i është bërë presion për rastin e Xhisiela Malokut nga deputetët socialistë Taulant Balla e Rrahman Rraja, si dhe kryebashkiaku Artur Bushi.
“Për të mbrojtur anëtarët politikë të bandës së Fushë Krujës, Edi Rama mashtroi publikisht, kur deklaroi se skandali u publikua fillimisht “nga vetë Taulant Balla” e jo nga intervista/denoncim e policit Emiljano Nuhu, të “ndjekur këmba-këmbës” nga banda. Në këto 11 ditë makineria e tij e propagandës shpiku 4 alibi për Taulant Ballën, që nga inaugurimet deri tek dalja për peshk ditën e 21 Korrikut, por pengut të krimit, Edi Rama, ia ka mbyllur gojën një pyetje fare e thjeshtë: Çfarë tregojnë kamerat e Stacionit të Policisë së Fushë Krujës”, deklaroi deputeti i PD-së.
Strazimiri theksoi se në Stacionin e Policisë së Fushë Krujës janë të paktën 8 kamera që funksionojnë 24 orë në ditë. Ai iu drejtua Kryeministrit me të njëjtat fjalë që kreu i Qeverisë përdori ndaj n/komisar Nuhut.
“Qytetarët e dinë se nëse dëshmia e nënkomisar Nuhut do të ishte e pavërtetë, pamjet e 21 Korrikut, pa Taulant Ballë në Fushë Krujë, do të ishin të kudogjendura. Derisa Edi Ramës t’i vijë goja, nuk do t’i ndahemi këmba-këmbës këtij horri!”, theksoi Strazimiri.
Me selinë blu replikoi Taulant Balla që nga mediat sociale i rikujtoi Lulzim Bashës një pohim të Jozefina Topallit mbi vërtetësinë e deklaratave të kryedemokratit Basha. Balla mohoi edhe njëherë të ketë qenë më 21 korrik në Fushë Krujë dhe i la takim Bashës në gjykatë, ku edhe e ka paditur atë. Përsa i përket pretendimit se kush e denoncoi i pari çështjen publikisht, Balla thekson se për atë që e quan inskenim të turpshëm, ka folur fillimisht më 25 shtator në Top Show dhe ka thirrur një konferencë për mediat të nesërmen më 26 shtator, para se të publikohej intervista e gazetarit Çollaku me n/komisar Nuhun.
Top Channel