Monika Kryemadhi, kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në një takim me strukturat e kësaj partie në Cërrik deklaroi se nuk mund të ketë marrëdhënie politike me një kryeministër që po u bën keq shqiptarëve.
“Për çfarë do të rrijë kjo opozitë në Parlament, që të bëhet fasadë e Edi Ramës? Jo! Harta e fundit ose pozicionimi i fundit që ne na ka ngelur është të takohemi me ju dhe të marrim vendimin se si do ia bëjmë dhe se si do veprojmë në hapat e mëtejshëm. Sepse nuk mund të ecim më me qëndrime partiake dhe politike në marrëdhënie me një Kryeministër që po i bën keq shqiptarëve, nuk po i bën keq një partie politike. Ky Kryeministër po i bën keq shqiptarëve”, shpjegoi Kryemadhi.
“Dje, në qendër të Tiranës, 50 metra larg zyrës së Kryetarit të Kuvendit, 100 metra larg zyrës së kryeministrit, qëllohet me pistoleta, sikur të jenë fëmijë duke luajtur lojë luftash. Qëllohen me pistoleta, plagosen e vriten njerëz në vendin më të frekuentuar nga shumë të rinj e të reja, nga adoleshentë, të cilët kalojnë kohën e tyre të pasdites në kryeqytet. Krimi tashmë ka zaptuar çdo gjë. Përveçse ka zaptuar gjithë institucionet shtetërore, tashmë po zapton edhe rrugët e Tiranës dhe ambientet ku rrinë të rinjtë shqiptarë”, deklaroi Kryemadhi.
Top Channel