Seanca e sotme në Kuvend nisi sërish pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila e kishte paralajmëruar bojkotin dhe i pari që e mori fjalën ishte deputeti Erjon Braçe, i cili ka kërkuar një interpelancë më ministrin Ahmetaj.
Braçe u shpreh se ka 6 muaj që komunikon me shkresa me ministrin për ligjin e sportit dhe i vlerëson si tallje përgjigjet që ka marrë.
“Kërkoj interpelancë për një çështje konkrete me interes publik. Kanë kaluar 2 javë dhe unë akoma pres. Është neni 80 i Kushtetutës jo pika 80 e dëshirave të mia. Kemi 6 muaj që komunikojmë me shkresa, me lejoni të them se përgjigjet që kam marrë janë tallje. Bëhet fjalë për ligjshmërinë fiskale të një institucioni të caktuar, për detyrimet që përcakton ligji për sportin që duhet të ishin arkëtuar në buxhetin e shtetit prej vitesh”, tha Braçe.
Pas tij, fjalën e mori kreu i Kuvendit, Ruçi, i cili u shpreh se ministri ka qenë jashtë vendit dhe javën e ardhshëm do të jetë i gatshëm për interpelancën.
“Ministri ka qenë një javë jashtë shtetit për të ndjekur shërbimet e Eurobondit dhe ka kërkuar një kohë dhe me shumë mundësi do të jetë disponibël javën e ardhshme”, tha Ruçi.
Top Channel