A ekziston natyra njerëzore? Përgjigjja është e ndërlikuar për këdo që merret me etikën. Në një kohë kur udhëheqja politike është amorale, dhe kur vlerat shoqërore sa vijnë e humbasin, është më e rëndësishme se kurrë që të mendojmë për thelbin e të qenit njerëz.
Koncepti filozofik i natyrës njerëzore ka një histori të gjatë. Në kulturën perëndimore, studimi ka nisur që me Sokratin. Por Aristoteli ka qenë i pari që ka argumentuar se natyra njerëzore karakterizohet nga veti të veçanta, si, për shembull, nevoja për të krijuar shoqëri dhe aftësia për të arsyetuar. Për Stoikët e Greqisë helenistike, natyra njerëzore ishte ajo që i jepte kuptim jetës dhe që kishte ndikuar kozmopolitanizmin dhe barazinë shoqërore.
Filozofë të lashtë kinezë, si Konfuci dhe Menci, besonin se natyra njerëzore ishte pozitive që në lindje, ndërsa Xunzi mendonte se ishte me ligësi që në lindje, dhe i mungonte morali. Ndërsa traditat e judaizmit, krishterimit dhe islamizmit sugjerojnë se natyra njerëzore është e korruptuar nga mëkati, por mund të pastrohet duke pranuar perëndinë, imazhin e të cilit e kemi krijuar ne.
Këto ide u shtjelluan më tej nga filozofët modernë të perëndimit, me shkrimet e tyre në shekujt e 17-të dhe të 18-të. Filozofi anglez Tomas Hobs argumentonte se natyra jonë e brendshme na shtyn drejt një jete që është “vetmitare, e varfër, e mbrapshtë, e ashpër dhe e shkurtër”, prandaj na nevojitet një autoritet i centralizuar politik me dorë të fortë (i ashtu-quajturi Leviatan).
Zhan Zhak Ruso, ndryshe nga këto ide, besonte se natyra e njeriut është e formueshme dhe që gjendja jonë e natyrshme ishte pa arsye, pa gjuhë, pa ndjesi komuniteti. Ai thoshte se mospërputhja e gjendjes fillestare natyrale të njeriut me kushtet e qytetërimit modern ishte rrënja e çdo pakënaqësie, ndaj mbështeste kthimin në natyrë. David Hume, gjithnjë i ndjeshëm dhe i moderuar, propozonte që njerëzit karakterizohen nga një kombinim altruizmi dhe egoizmi, të cilat mund të formohen pjesërisht (për mirë ose për keq) nga kultura.
Puna e Çarls Darvinit, në mes të viteve 1800, bëri që shumë prej pikëpamjeve “esencialiste” të njeriut të hidheshin poshtë. Ideja që njerëzit kanë karakteristika të veçanta, të cilat u përkasin vetëm njerëzve, nuk përputhej me ritmin e ngadaltë të evolucionit që shpjegonte Darvini. Ndërkohë që homo-sapiensët evoluonin si specie e veçantë e gjitarëve të parë, biologjia jonë nuk ka asnjë ndarje të qartë nga biologjia e specieve të tjera.
Kështu, debati filozofik për natyrën njerëzore vazhdon të shtohet e të përditësohet me gjetje të reja biologjike. Sot, disa filozoftë e interpretojnë Rusonë e Darvinin me kuptimin që natyra njerëzore nuk është ekzistuese, dhe se biologjia mund të na kufizojë trupin, por jo mendjen dhe vullnetin.
Psikologët që mbështesin evolucionin si dhe neuro-shkencëtarët, thonë se këto janë budallallëqe. Mesazhi që marrin nga Darvini, (dhe pse kryesisht nga Rusoja), është se natyra jonë bazë nuk është e përshtatshme me botën moderne. Praktikisht, sipas tyre, jemi majmunë pleistocenë të pajisur me celularë dhe armë bërthamore.
Si filozof shkence dhe biolog evolucionist, pikëpamja ime është që natyra e njeriut ekziston, por nuk bazohet në asnjë “esencë”. Specia jonë, ashtu si speciet e tjera biologjike, karakterizohet nga disa trajta dinamike dhe evoluese, të cilat janë tipike për trashëgiminë tonë, por që nuk janë të pranishme në çdo anëtar të species njerëzore pa përjashtim, dhe nuk është se mungojnë te gjithë speciet e tjera pa përjashtim.
Por pse ka rëndësi kjo për dikë që s’është shkencëtar apo filozof? Ka të paktën dy arsye të mira se pse e mendoj këtë. Njëra është personale, tjetra politike.
Së pari, mënyra se si e interpretojmë natyrën e njeriut ka nënkuptime të gjera për etikën, të paktën në kuptimin e lashtë greko-roman për mënyrën se si duhet ta jetojmë jetën. Dikush që ka pikëpamje judeo-kristiane-islamike, natyrisht që do të adhurojë perëndinë dhe do të ndjekë udhëzimet fetare. Por dikush që mbështet filozofinë ekzistencialiste të Zhan-Pol Sartrit apo të Simon Buvuarit, mund të besojë se shkaku i ekzistencës i paraprin esencës. Pra, jemi të lirë t’i formojmë jetët tona sipas zgjedhjeve që bëjmë, dhe nuk është nevoja që të na ndihmojë një perëndi gjatë këtij procesi.
Për më tepër, pikëpamjet e natyrës njerëzore ndikojnë edhe etikën. Sot, etika është shumë rrëmujë. Një studim i kryer në SHBA kohët e fundit e quante presidencën e Donald Trump-it si më jo-etiken në historinë e Amerikës. Ndërsa sondazhi i përvitshëm i Gallup për sjelljen e amerikanëve, tregon se morali ka pasur vetëm rënie. Nëse ndalojmë pak dhe shqyrtojmë qëndrimin tonë në diskutimin rreth natyrës njerëzore, mund të krijojmë një botëkuptim shumë të vlefshëm të gjërave që besojmë vetë, dhe, si rrjedhojë, të gjërave që besojnë të tjerët.
Personalisht, unë mbaj më shumë anën e etikës natyraliste të Stoikëve. Sipas tyre, natyra njerëzore na kufizon dhe na e sugjeron sjelljen, po nuk përcakton në mënyrë të prerë se çfarë duhet të bëjmë e çfarë jo. Pavarësisht anëve filozofike apo fetare që mund të mbajë dikush, të reflektuarit për atë që jemi, jo vetëm si qenie biologjike, është mënyrë e mirë për t’i kontrolluar më shumë veprimet që kryejmë. Dhe e dimë shumë mirë që mes nesh ka shumë persona që do të përfitonin së tepërmi nga diçka e tillë.
MASSIMO PIGLIUCCI, PROJECT SYNDICATE
Top Channel