I ftuar në episodin e tretë të “Pop Culture”, Erion Braçe tregoi gjithçka mbi jetën e tij përtej politikës. Ndër të tjera, ai ndau me moderatoren Dojna Mema një ndër momentet më të sikletshme në adoleshencë, kur është dridhur i tëri.
Pyetja që provokoi këtë rrëfim ishte e thjeshtë: A dëgjon muzikë klasike, meqënëse ai ka një të kaluar si violinist?
Bashkëngjitur me pyetjen, Dojna shtoi edhe një përjetim të sajin. “Mbaj mend kur jepja provimet e pianos, që ende sot më shfaqen si makthe”, duke na treguar edhe neve mbi të kaluarën e saj si pianiste.
“Me sa duket, violina ka lënë gjurmë traumatike tek unë. Nganjëherë kthehej edhe në detyrim, sepse më largonte nga lojërat. Kur kam dalë në klasë të 8 nga shkolla “8 Nëntori” mbaj mend se provimi i fundit që kam dhënë ishte pikërisht violina. Mbaj mend si tani që më ka kapur një e dridhur, e cila nuk pushonte, aq sa dora nuk funksiononte të gjente notat, harku dridhej gjithashtu. Duke qenë se isha i mirë me mësime, drejtori i asaj kohe më la të largohesha nga provimi. Kështu që nuk dëgjoj muzikë klasike që atëherë”, do të shprehej Braçe.
Ndiqni më poshtë videon më të plotë të intervistës, ndërsa rrëfimin e sipërpërmendur e gjeni në minutën e 32-të.
Top Channel