Vetëm pak orë nga mbajtja e seancës gjyqësore për Emiljano Shullazin, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ka reaguar për “Zërin e Amerikës” edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Kjo e fundit ka thënë se “populli shqiptar meriton një sistem drejtësie ku policia dhe prokurorët qëndrojnë së bashku kundër kriminelëve”, ndërsa ka konfirmuar “mbështetjen ndaj prokurorëve të guximshëm, edhe kur ka rreziqe”.
Ky reagim vjen në një moment kur situata në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, është e tensionuar, pasi disa prokurorë refuzuan shortin për të marrë çështjen Shullazi.
Ata e cilësuan shortin si nëj veprim në kundërshtim me ligjin, ndërsa në këët situatë ndërhyri edhe Kryeprokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku, e cila nisi një hetim disiplinor ndaj “prokurorëve rebelë”, disa prej të cilëve i transferoi jashtë Tiranës.
Kujtojmë që Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka zgjedhur tashmë katërshen e prokurorëve që do të lexojnë pretencën ndaj Emiljano Shullazit, Blerim Shullazit, Gilmando Danit, Endri Qyqes dhe Endri Zelës, por ka vedosur që emrat e tyre t’i mbajë sekret, deri në seancën e nesërme.
Po gjatë ditës së sotme, avokatët e Emiljano Shullazit iu drejtuan prokurorisë me një letër, ku i kërkuan publikimin e emrave të prokurorëve, që do të lexojnë pretencën nesër, në kuadër të transparencës.
Top Channel