Nesër në Kombet e Bashkuara fillojnë punimet e Asamblesë së Përgjithshme me liderët botërorë që do të jenë ashtu si çdo shtator tjetër, në Nju Jork. Në asamble mbahet debati i përgjithshëm, ku përfaqësuesit e të gjitha vendeve mbajnë fjalime.
Por, në sallë nuk zhvillohet një debat në kuptimin e vërtetë të fjalës. Thjesht, vendet e ndryshme e marrin fjalën njëri pas tjetrit dhe flasin për çështjet më të rëndësishme për qeveritë përkatëse. Sipas traditës, Brazili është vendi i parë që merr fjalën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kjo traditë ka filluar në vitin 1947. Sipas Kombeve të Bashkuara, në vitet e para të formimit të organizatës, askush nuk donte të ishte i pari të fliste dhe Brazili, vullnetarisht, merrte fjalën i pari. Vendi mikpritës, Shtetet e Bashkuara, flasin gjithmonë të dytët, pas Brazilit. Presidenti Donald Trump pritet të flasë këtë vit të martën në mëngjes. Ai vazhdimisht e ka kritikuar organizatën botërore, duke thënë se Shtetet e Bashkuara, që paguajnë 22% të buxhetit të OKB-së prej 5,4 miliardë dollarësh, mbajnë peshën më të madhe.
Radha e folësve të tjerë të debatit të përgjithshëm 2-ditor përcaktohet nga disa faktorë, si balanca gjeografike, apo radha sipas kërkesës, por edhe nga faktorë të tjerë. Folësve u kërkohet që fjalimi i tyre të mos jetë më tepër se 15 minuta, por në praktikë ata flasin edhe më gjatë. Fjalimi më i gjatë në historinë e Kombeve të Bashkuara ka qenë ai i udhëheqësit kuban, Fidel Castro, në vitin 1960: 4 orë e gjysmë, edhe pse ai nuk e mbajti fjalimin në debatin e përgjithshëm.
Gjatë ditëve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, udhëheqësit botërorë ndjekin edhe takime për çështje të ndryshme. Me këtë rast, ata zhvillojnë edhe diskutime private.
Top Channel