Një tjetër grua e akuzon për ngacmim seksual të përzgjedhurin e presidentit Donald Trump për gjykatën e lartë, Brett Kavanaugh. Deborah Ramirez, një shoqe shkolle në universitetin e Yale të gjykatësit, tha për The New Yorker se Kavanaugh i kishte treguar organet e saj gjenitale në një festë në konvikt.
Vetë gjykatësi i ka mohuar akuzat duke i cilësuar ato një komplot. Përbërja e Gjykatës Supreme, me nëntë gjykatës, është thelbësore, pasi ajo ka fjalën finale për sa i takon ligjeve të shumë diskutuara. Para se Kavanaugh të zërë vendin vakant duhet të miratohet nga Komiteti i Drejtësisë i Senatit dhe më pas edhe nga vetë senati. Pedagogia Cristine Blasey Ford, që e akuzoi Kavanaugh javën e kaluar për agresion seksual në vitet 1980, ka pranuar të dëshmojë para komitetit të senatit, të enjten.
Ford, 51 vjeçare, ka akuzuar Kavanaugh për sjellje të keqe seksuale kur ajo ka qenë 15 vjeçare dhe gjykatësi 17 vjeçar.Këto akuza kanë kthyer në situatë tensionuese procesin e emërimit të Kavanaugh si gjykatës në Gjykatën Supreme, pasi Komiteti Gjyqësor i Senatit ka shtyrë votimin për nominimin e tij, pas akuzave të Fordit një javë më parë.
Disa republikanë, përfshirë presidentin Trump kanë akuzuar Ford dhe demokratët se po përpiqen të vonojnë dhe pengojnë konfirmimin e gjykatësit në detyrë. Michael Avenatti, një avokat amerikan i njohur për përfaqësimin e aktores së filmave për të rritur Stormy Danierls, në rastin e saj kundër presidentit Trump, ka shkruar në “Twitter” se ai do të përfaqësojë një grua të tretë që ka informacione të besueshme në lidhje me gjykatësin Kavanaugh.
Top Channel