Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se Bashkimi Europian duhet të trajtojë me respekt Mbretërinë e Bashkuar në negociatat për Brexitin.
Në një deklaratë në Downing Street, ajo tha se refuzimi nga ana e liderëve të BE-së i planit të saj, pa dhënë asnjë alternativë tjetër në këtë fazë të vonë të negociatave, është i papranueshëm.
“Unë nuk do të hedh poshtë rezultatet e referendumit dhe as nuk do të ndaj vendin tim”, tha May.
Deklarata e May vjen pas pritjes së ftohtë të planit të saj në samitin e liderëve të BE-së në Salzburg.
“Gjatë këtij procesi unë e kam trajtuar BE-në me respekt. Britania e Madhe pret të njëjtën gjë, një marrëdhënie e mirë në fund të këtij procesi varet nga kjo. Në këtë fazë të vonë të negociatave është e papranueshme që thjesht të refuzosh propozimet e palës tjetër, pa një shpjegim të detajuar apo kundërpropozime. Tani, ne duhet të dëgjojmë nga BE-ja se cilat janë çështjet reale dhe cilat janë alternativat e tyre në mënyrë që ne t’i diskutojmë ato”, deklaroi kryeministrja.
Sipas May, të dyja palët janë shumë larg njëra-tjetrës në marrëdhënien ekonomike të pas Brexit-it. Dy opsionet që janë ofruar nga BE-ja për Britaninë e Madhe, që vendi të qëndrojë në zonën ekonomike evropiane dhe unionin e doganave, apo një marrëveshje bazë e tregtisë së lirë, për May nuk ishin të pranueshme dhe ajo që ndan akoma më shumë është kufiri me Irlandën.
Top Channel