Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se nuk është i shqetësuar që kryetari i fushatës së tij në vitin 2016 Paul Manafort ka rënë dakord të bashkëpunojë me Prokurorin e Posaçëm Robert Mueller në hetimin e gjerë që ai po kryen, për lidhje të mundshme të njerëzve të fushatës së zotit Trump me Rusinë.
“Besoj se ai do të thotë të vërtetën” u tha zoti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë ndërsa po nisej për në Karolinën e Veriut, për të parë nga afër dëmet e mëdha që kanë shkaktuar përmbytjet, pasojë e uraganit Florence. “Dhe nëse thotë të vërtetën, nuk ka problem”, tha ai.
Zoti Manafort, arriti një marrëveshje me Prokurorin e Posaçëm Mueller javën e kaluar, duke rënë dakord t’i tregojë ato që ai di, lidhur me veprimet e fushatës së zotit Trump, në këmbim që zoti Mueller të rrëzojë disa akuza penale të ngritura kundër tij.
69 vjeçari Paul Manafort, një lobist me përvojë në Uashington, u deklarua fajtor për dy akuza lidhur me përpjekjet e tij lobuese fitimprurëse në funksion të ish-udhëheqësit ukrainas Viktor Janukoviç përpara se të përfshihej me fushatën e zotit Trump.
Top Channel