Një gjykatë në Pakistan ka urdhëruar lirimin e ish kryeministrit të vendit, Navaz Sharif, dy muaj pasi ai nisi kryerjen e dënimit me 10 vite burg pasi u gjet fajtor për korrupsion.
Gjykata pezulloi dënimin e Sharif dhe të bijës, që u dënuan në korrik, pak para se vendi të mbante zgjedhjet e përgjithshme.
Sharif dhe e bija, kanë mohuar akuzat dhe vendimi vjen pas apelimit nga ana e tyre por edhe një javë pasi gruaja e Sharif, Kulsoom Navaz, vdiq nga kanceri në londër. Ata u lejuan për pak ditë të dilnin nga burgu për të marrë pjesë në funeral, por më pas u rikthyen në qeli.
Sharif akuzohej për praktika korruptive të lidhura me pronësinë e katër pronave luksoze në qendër të londrës. Ai thotë se akuzat janë politikisht të motivuara. Tre herë kryeministër, ai u rrëzua nga pushteti një vit më herët nga gjykata supreme e vendit pasi fëmijët e tij u lidhën me kompani përtej detit në kuadër të atij që njihet si skandali i Panama Papers.
Vajza e tij u dënua me shtatë vite burg për bashkëfajësi në krim dhe me një vit burg për mos bashkëpunim ndërsa dhëndrri u dënua me një vit burg për mos bashkëpunim. Po ashtu ata u ndaluan të mbanin poste publike për 10 vite pas lirimit.
Top Channel