Fëmijët e rrezikuar në Jemen, 5 milionë mund të vdesin nga uria

19/09/2018 17:41

Të vrasësh një gjeneratë të tërë; “Save the Children” jep alarmin për situatën e rënduar të fëmijëve në Jemen, ku mbi 5 milionë të mitur rrezikojnë të vdesin nga uria.

Lufta që s`po resht në vend i ka rritur në mënyrë të skajshme çmimet e ushqimeve dhe të karburantit, e problemet e furnizimit përmes portit të Hodeida mund të shkaktojnë, sipas organizatës, së njohur me seli në Britaninë e Madhe, mosushqyerje të një shkalle të paprecedentë.

1 milionë fëmijë të tjerë iu shtuan listës së të vegjëlve që nuk kanë mundësi të ushqehen, duke e çuar shifrën totale të tyre në 5,2 milionë.

Jemeni i varfër është ngërthyer që prej 2014-tes në një konflikt vdekjeprurës mes rebeleve Shiitë Huthi dhe trupave besnike ndaj presidentit Mansour Hadi. Aleanca e drejtuar nga sauditët ndërhyri në 2015-tën në përpjekje për t’i dalë atij në krah duke akuzuar Iranian se mbështet Huthit.

Por rezultati nuk ishte që pritej. Që prej atëherë, janë vrarë gati 10.000 vetë dhe pasi bisedimet e paqes dështuan në Gjenevë këtë muaj, luftimet e ashpra përreth qytetit port të Hodeidas së kontrolluar nga rebelët nisën sërish.

Kjo luftë, sipas “Save the Children”, po rrezikon një brez të tërë në Jemen; fëmijët përballen me rreziqe të cilat nisin nga bombat, tek uria ekstreme dhe sëmundjet e rënda si kolera. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se luftimet masive në Hodeida mund të çojnë drejt bllokimit të ushqimeve për 8 milionë jemenitë që varen totalisht prej tyre për mbijetesë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA