Vrasja e Marvi Mihalit, gjykata refuzon kërkesën për gjykim të shkurtuar

18/09/2018 16:52

Gjykata e Tiranës ka refuzuar kërkesën e avokatëve të Dejvi dhe Eugen Bitrajt për gjykim të shkurtuar. Ata akuzohen që në bashkëpunim me dy persona të tjerë, Klidens dhe Marsel Alla kanë ekzekutuar me thikë me paramendim 22-vjeçarin Marvi Mihali, në korrik të vitit të kaluar.

Gjyqtari i çështjes Sokol Tona u shpreh se çështja nuk mund të zgjidhet me gjykim të shkurtuar pasi ka nevojë për shqyrtim gjyqësor në fakteve dhe provave që janë mbledhur për këtë ngjarje.

Fillimisht për këtë vrasje, prokuroria akuzoi vetëm Dejvi Bitraj, ndërsa tre të pandehurit e tjerë i akuzoi për moskallëzim krimi. Por pas shqyrtimit të kamerave të sigurisë pranë vendngjarjes, familjarët e të ndjerit denoncuan në Top Channel se djali i tyre ishte goditur nga të gjithë dhe jo vetëm nga Dejvi Bitraj.

Në këto kushte prokuroria ndryshoi akuzat duke i akuzuar te katër të pandehurit për vrasje me paramendim. Por duket se kjo ngjarje nuk rresht se nxjerri fakte të reja. Gjatë leximit të kërksës për gjykim, prokurori Gjergji Tako, deklaroi se përveç katër të pandehurve, në vendngjarje kamerat e sigurisë kanë fiksuar edhe një person të pestë që ka goditur të ndjerin Marvi Mihali, por që deri më tani nuk është identifikuar ende.

Këtë fakt e mbështeti edhe avokati i familjarëve të të ndjerit, të cilët janë bërë pjesë e procesit. Ata kanë kërkuar pyetjen e disa dëshmitarëve të cilët konfirmojnë se me grupin e Dejvi Bitrajt që sulmuan të nderin Mihali ishin pesë persona dhe jo vetëm katër të pandehurit që janë identifikuar dhe se vrasja ka qenë e paramenduar dhe jo një sherr i momentit. Seanca e radhës u caktua pas dy javësh ku është radha e avokatëve mbrojtës të paraqesin provat në mbrojtje të klientëve të tyre.

Top Channel