“Xibraka”, lirohet nga burgu Ermal Hoxha

17/09/2018 21:20

Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha është liruar nga burgu tre vjet pas dënimit për akuzën e trafikut të drogës në tentativë.

Mësohet se Hoxha është liruar me kusht dhe se ai e ka lënë qelinë ditën e premte, më 14 shtator. Ai u kap pas një operacioni të policisë në Xibrakë në 14 janar 2015, ku ishte ndërtuar një laborator droge që merrej me përpunimin e kokainës.

Ermal Hoxhës i ka mbetur edhe 1 vit e 6 muaj burg pa vuajtur nga dënimi i dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Në muajin nëntor 2017, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda pranoi kërkesën e nëntë të pandehurve për dosjen “Xibraka”, të cilëve iu njoh gjykimi i shkurtuar.

Rrjedhimisht, sipas trupës gjyqësore të Apelit, nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar secili nga të pandehurit përfiton një të tretën e uljes së dënimit.

Mes të shpallurve fajtorë ishte edhe Ermal Hoxha, nipi i dikatorit Enver Hoxha, të cilit nga 10 vite burg që vendosi Shkalla e Parë, nga Apeli iu dha dënimi me 6 vjet e 8 muaj burgim.

Top Channel