Presidentët e Rusisë dhe Turqisë kanë rënë dakord për krijimin e një zone të demiliratizuar në provincën siriane të Idlibit, me synimin për të ndarë forcat qeveritare nga ato rebele.
Shefi i Kremlinit, Vladimir Putin është shprehur se zona duhet të jetë me një shtrirje nga 15 deri në 25 km dhe duhet të hyjë në fuqi nga 15 tetori. Sipas tij, të gjithë rebelët të linjës radikale, sikurse edhe xhihadistët duhet të largohen nga kjo zonë.
Kombet e Bashkuara kishin lëshuar alarmin për një katastrofë humanitare, nëse forcat qeveritare të presidentit Bashar al-Assad do të nisnin atë që konsiderohej si beteja e të gjitha betejave, apo ofensivën për rimarrjen e kontrollit të Idlibit.
Lajmi është konfirmuar edhe nga ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i cili këtë të hënë është shprehur se nuk do të ketë asnjë operacion ushtarak në Idlib, duke iu referuar këtu përgatitjeve të forcave të Assadit dhe aleatëve të tyre.
Ai foli për agjencinë ruse të lajmeve “Interfax”, pas akordit të arritur mes presidentëve Putin e Erdogan për krijimin e zonës së demilitarizuar.
Top Channel