E ftuar në “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u shpreh ndër të tjera se do të ketë një inspektim tërësor të standardeve dhe të kritereve të licencimit të të gjitha institucioneve të arsimit parauniversitar private.
“Ne do të bëjmë një inspektim tërësor të standardeve dhe të kritereve të licencimit të të gjitha institucioneve të arsimit parauniversitar. Kjo është matja e dytë që do të bëjmë dhe sigurisht që do të kemi për publikun edhe raportin si po performojnë këto shkolla”, tha ministrja Nikolla.
Ndërkohë, e pyetur për fëmijëve që janë analfabet funksional, Nikolla iu referua të dhënave të “PISA 2015”, duke u shprehur se tashmë Shqipëria është larg shifrave të publikuara në 2013-ën.
“Kemi të dhënën e parë të “PISA 2015”, Shqipëria është e dyta pas Spanjës për lidhjen e fëmijëve me shkollën. Pisa është instrumenti më serioz që e mat këtë problem. Këtë viti, është bërë matja e PISA 2018, që ne pranuam ta bënim digitale dhe do të kemi një raport të ri dhe do të shikojmë progresin e fëmijëve”, tha ministrja.
Si një ish-mësuese, Nikolla u pyet nga gazetari Denis Dyrnjaja se çfarë note i vendos sot ajo Arsimit shqiptar, por edhe pse foli me superlativa nuk e dha një notë.
“Arsimit shqiptar, unë i vë të gjithë përgjegjshmërinë time, punën me mish e me shpirt për të raportuar çdo ditë me arritje. Notat janë risitë, mësuesit e portalit “Mësuesit për Shqipërinë”, nota është standardi i ri me kurrikulën europiane, nota janë tekstet e reja me standardet më të mira, nota është kthimi i sportit në shkollë, nota është lufta që po bëjmë për eliminimin dhe reduktimin e klasave kolektive. Janë shumë nota që mësuesit dhe prindërit duhet të ndjehen krenar”, tha ministrja Nikolla.
Kushtet e këqija në disa shkolla, Nikolla në “Top Talk”: Faji i pushtetit vendor
Top Channel