Zhvillimet e fundit politike, veçanërisht ato të opozitës, kanë qenë në fokusin e emisionit të kësaj të enjteje “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, ku i ftuari i radhës ka qenë njëri prej personazheve më të shquar brenda Partisë Demokratike, me role të rëndësishme drejtuese, dikur drejtues i “Rilindjes Demokratike”, organit zyrtar të PD-së, Astrit Patozi.
Ditët e fundit ka pasur një nismë të Partisë Demokratike për vettingun në politikë, i përshëndetur përmes një qëndrimi në rrjetet sociale para disa ditësh nga ana e ish-deputetit demokrat, por që dje në një tjetër reagim të tij kishte theksuar se PD-ja është në ditët e saj më të këqija të 20 viteve të fundit. Kësaj dileme qëndrimesh, Patozi i është përgjigjur pikërisht në intervistën e dhënë në studion e “Top Talk”.
“Të dyja qëndrimet janë të vërteta, teksa provojnë se unë nuk paragjykoj. Kur flas përpiqem të jem i ftohtë dhe i barazlarguar nga emicionet. Vijoj t’i mbetem pikëpamjes sime që vettingu është një gjë e dobishme për politikën, madje jam ndër ata që mendoj se vettingu mund të ishte bërë më herët, apo i njëkohshëm me vettingun në drejtësi. Ndërkohë, unë i qëndroj plotësisht pikëpamjes që Partia Demokratike sot është në kohën e vet më të keqe në të gjithë historinë e saj, kryesisht për shkak të lidershipit të gabuar të Lulzim Bashës. Nuk më pengon asgjë të them se, në rast se Basha e ka seriozisht sfidën apo projektin e vettingut, unë do ta mbështes në të gjitha rastet. Por dyshoj te ky seriozitet, sepse kam parë zhvillimet pas lançimit të idesë, që më lënë një shije të keqe. Mënyra sesi janë sjellë palët që nga dita e anonçimit nga Basha, është e tillë që të krijon idenë e një teatri, ku të dyja palët nuk duan që të bëhet, por që po përpiqen me shumë sforco që t’ia lënë dopio gjashtën në dorë palës tjetër”, deklaroi Astrit Patozi.
Ai vijoi më tej madje, kur shprehu bindjen dhe jo vetëm, se vettingu politik nuk do të bëhet.
“Është një ngjarje e sigurtë. Është një truk i të dyja palëve, por në këtë rast opozita ka më shumë përgjegjësi për dy arsye: së pari, sepse ishte ajo që e lançoi dhe mund ta evitonte nëse nuk e kishte seriozisht; dhe së dyti, sepse opozita është ajo që duhet ta shkundë pushtetin që të shkojë në moralin e saj”, shpjegoi Patozi.
Megjithatë, nëse dy njerëz bëjnë bashkë një truk politik, kjo nënkupton se ata duhet të jenë aleatë politikë. A janë aleatë fluidë Lulzim Basha dhe Edi Rama, në këndvështrimin e Patozit?
“Këtë nuk mund ta them, por them se ata kanë ngjashmëri dhe shumë pika takimi, ndërsa janë të ndryshëm në shumë gjëra të tjera. Ajo që mund të them me siguri është që mes tyre ka pasur një marrëveshje shumë të qartë dhe evidente vitin e shkuar, para zgjedhjeve parlamentare, që e di kushdo. Kjo marrëveshja që pati rezultatin e saj mund të mos jetë në fuqi, për shkak se Basha nuk mori atë që pretendonte apo priste prej saj, ndërkohë që Rama mori atë që shpresonte”, shprehet Patozi.
Sipas tij, herë pas herë Basha përdoret nga Rama, për të mos thënë në të gjitha rastet. Patozi aludon më tej se, edhe nëse nuk ka një marrëveshje të shkruar mes palëve, ka një marrëveshje në heshtje që ekziston në shumë detaje të jetës politike në Shqipëri.
“Marrëveshja e heshtur nënkupton se të dyja palët janë njësoj të interesuara që Reformë Zgjedhore të mos ketë, ndërkohë që Basha duhej të ishte njeriu më i interesuar në Shqipëri që kjo reformë të bëhej. Fakti që Basha mbetet gjithnjë në opozitë, do të thotë se nuk i intereson dhe ky është problemi më i madh që shqiptarët nuk e kuptojnë, edhe demokratët gjithashtu. Lulzim Basha do që të jetë i dyti gjithmonë, sepse e ka të pamundur ta mendojë veten se mund të jetë fitues, ndoshta sepse i mungojnë shumë cilësi të nevojshme për të qenë një udhëheqës. Në rast se Basha do ta pretendonte pushtetin, do të ishte njeriu i parë që nuk do të linte asgjë mbi tokë pa bërë që të kishte Reformë Zgjedhore, e cila do të shkundte sistemin dhe të kishte ndryshime Kushtetuese. Ky sistem, të paktën në 3 zgjedhjet e fundit ka sjellë një rezultat dramatik për PD-në apo partinë që drejton Basha. Ai nuk e bën këtë dhe po tregohet i pandershëm me aleatët e tij, por edhe me publikun”, tha Astrit Patozi.
Patozi shpjegoi gjithashtu se një opozitë që pretendon se qeveria vjedh zgjedhjet, minimumi duhet të kërkojë të ndryshohet ligji, pastaj të përpiqet që t’i bëjë presion qeverisë të mos ia vjedhë votat.
Top Channel