Referendumi i Maqedonisë diskutohet në Tiranë

13/09/2018 14:37

Referendumi i 30 shtatorit në Maqedoni për çështjen e ndryshimit të emrit në bazë të marrëveshjes me qeverinë greke, nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, si dhe roli i faktorit shqiptar në këtë proces, ka mbledhur në një diskutim në Tiranë njohës të politikës së jashtme dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe lëvizjeve politike në Maqedoni.

Ish-ministri i Jashtëm shqiptar, Paskal Milo e ka vlerësuar këtë referendum si një mundësi shumë të mirë të Maqedonisë për t’u integruar në BE dhe NATO, madje Milo ka shkuar përtej kësaj, duke deklaruar se fitorja e referendumit pro marrëveshjes për emrin ka të bëjë edhe me sigurinë e NATO-s dhe rajonit tonë.

“Ky referendum duhet fituar patjetër, pasi në këtë mënyrë rritet ndjeshëm siguria e aleancës së NATO-s në Europën Juglindore, por edhe e rajonit tonë në përgjithësi dhe njëkohësisht u pritet rruga ndërhyrjeve ndërkombëtare, siç janë zgjimi i ëndrrave cariste të Rusisë për të ndërhyrë në rajon, siç edhe duket”, tha Milo.

Ndërsa për përfaqësuesin e lëvizjes “Besa” në Maqedoni, votimi i referendumit duhet të sjellë edhe ndryshime të tjera të mëvonshme që kanë të bëjnë me faktorin shqiptar në Maqedoni, qeveria e së cilës duhet ta kuptojë që përfaqëson një shoqëri multietnike dhe jo monoetnike.

Bilbil Kasemi, drejtues i lëvizjes “Besa”, tha: “Marrëveshja me Greqinë ka rrezik që ta mbajë Maqedoninë si një shtet monoetnik maqedonas, gjë për të cilën ne nuk do të pajtohemi dhe do të bëjmë gjithçka që edhe pas miratimit të marrëveshjes, Maqedonia të ndërtohet si një shtet multietnik”.

Top Channel