Kryebashkiaku Veliaj shpërndan libra falas për një familje në Ndroq

12/09/2018 14:04

Urimin për fillimin e vitit të ri shkollor, fëmijët e familjes Hoxha në Ndroq e morën nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili u dhuroi edhe librat falas. Katër fëmijëve të familjes së Agron Hoxhës, Veliaj u dhuroi pako me librat, çantat e shkollës me mjetet didaktike, pako ushqimore dhe veshmbathje.

“Jam shumë i lumtur për faktin se kryeministri dhe ministrja e Arsimit vendosën që, për herë të parë të fillojë një risi në Shqipëri, që t’ju japë librat falas”, tha ai. Veliaj nënvizoi se përmes kësaj nisme synohet që t’u vihet në ndihmë të gjitha familjeve.

“Në fillim pyesja, a mund të ndryshojnë diçka librat falas!? Por, kur mendon se një pako me libra kushton 20 mijë lekë, kur ke 4 fëmijë, çdo gjë që mund të vijë si ndihmë është shumë e vlerësuar. Ndaj, doja të vija vetë dhe zgjodhëm familjen tuaj sepse ju ka bekuar Zoti, me katër vajza, me çfarëdolloj ndihme që qeveria mund të japë, që gocat jo vetëm të rriten, por të dalin shkëlqyer me mësime, të kenë libra, fletore, të kenë mjete. Më vjen mirë që edhe kolegët e bashkisë iu bashkuan ndihmës me veshmbathje e nevoja të tjera, që gocat të shkojnë me shumë gëzim në ditën e parë të shkollës”, tha Veliaj.

Top Channel