Një ditë më parë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç gjatë vizitës në Kosovë e cilësoi si një “udhëheqës të madh” ish presidentin serb, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në Hagë në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në ish-Jugosllavi.
Lartësimi i figurës së Millosheviç nuk u prit aspak mirë në Kosovë, por as në arenën ndërkombëtare.
Presidentit serb, tha se pararendësi i tij, në qeverinë e të cilit ai ishte ministër i informacionit gjatë luftës në Kosovë, “qëllimet, gjithsesi i ka pasur më të mirat, por rezultatet i kemi pasur mjaft të këqija”.
Ta pakumptimtë e ka cilësuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaratën e homologut të tij serb, teksa ka theksuar fjalimi i Vuçiçit për pajtim, mirëkuptim dhe domosdoshmërinë e një marrëveshjeje me shqiptarët nuk shkon me një tregim për kasapin e Ballkanit, përgjegjës për gjenocid në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Slloveni.
“Këto dyja nuk shkojnë bashkë. Lartësimi i figurës së xhelatit ballkanik Millosheviç dhe gjeneralëve të tij dhe thirrja për paqe, mirëkuptim, fqinjësi dhe marrëveshje nuk shkojnë paralelisht. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se ishte një qëndrim i gabuar, i panevojshëm dhe nuk ndihmon në një atmosferë më të mirë të dialogut dhe negociatave”, u shpreh Thaçi në një konferencë të përbashkët me politikanë shqiptarë nga Lugina e Preshevës, me të cilët sot u takua në Prishtinë.
Ndërkohë që Bashkimi Evropian, e bëri të qartë se “ripajtimi, normalizimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë të mundshme nëse politikat e së kaluarës që i kanë sjellë shumë vuajtje e mjerim Ballkanit Perëndimore, hidhen poshtë dhe tejkalohen”.
Të hënën, Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini u shpreh se: “nuk guxon të lihet hapësirë për dykuptimësi apo lavdërim të atyre që kanë mbështetur politikën dhe veprimet e tij. Vendimet e gjykatave vendase dhe ndërkombëtare në këtë drejtim janë shumë të qarta”.
Më tej ajo thekson se ripajtimi dhe fqinjësia e mirë janë vlera për të cilat angazhohet Bashkimi Evropian dhe vendet e rajonit duhet të mbështesin këto parime.
Top Channel