Thaçi pret liderët e Luginës së Preshevës: Kërkojmë rezolutë nga Kuvendi i Kosovës

10/09/2018 14:16

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar udhëheqësit politikë të Luginës së Preshevës këtë të hënë në Prishtinë, të cilët i kanë kërkuar atij miratimin e një rezolute në Kuvend përmes të cilës të kërkohet bashkimi i Luginës me Kosovën.

Në konferencën për shtyp së bashku me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të Komunave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, Thaçi deklaroi se tashmë është bërë i ditur vullneti i shqiptarëve të Luginës për t’u bashkuar me Kosovën, e në të ardhmen do të ketë zhvillime për realizimin e këtij objektivi.

“Do të bëjmë përpjekje që kjo çështje të mbyllet njëherë e përgjithmonë”, tha ai, duke theksuar mbështetjen e plotë të dëshirës së tyre për bashkim me Kosovën.

Presidenti i Kosovës tha gjithashtu se do të punojnë që përfaqësuesit politikë të Luginës të jenë pjesë e dialogut përfundimtar mes Kosovës e Serbisë, pasi kjo ka të bëjë me të ardhmen e tyre.

Por, Thaçi deklaroi se për çështjen e Luginës duhet unitet edhe në spektrin politik të Kosovës. Për këtë, ideja për hartimin dhe miratimin e një rezolute nga Kuvendi do t’i procedohet kryeparlamentarit Veseli, kryeministrit Haradinaj dhe shefave të grupeve parlamentare, në mënyrë që të ketë mbështetje unike për këtë çështje.

Shqipërim Arifi, kryetar i Preshevës tha se, sot kishin shpalosur idenë për një rezolutë në takimin me Thaçin, që do të duhet të dalë nga Kuvendi i Kosovës për të drejtën e bashkimit të Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës.

I pyetur nga mediet nëse do ta vizitojë Luginën e Preshevës, Thaçi tha se e njeh shumë mirë Luginën e Preshevës, si dhe shqetësimet e tyre, megjithatë nuk mund ta vizitojë rajonin për shkak të rrethanave.

“Në jetën time e kam vizituar Preshevën dhe kam qëndruar atje. Kam pasur bashkëluftëtarë nga Lugina. E njoh shumë mirë këtë pjesë, edhe shqetësimet e tyre. Për këtë jam i vendosur, që vullnetin e tyre ta shtyj përpara. Kur e kam vizituar Luginën e Preshevës, nuk kam pasur leje nga Serbia. Kam qenë aty në përpjekjet për kauzën tonë”, ka thënë Thaçi.

Megjithatë, siç ka shtuar ai, tani jemi në rrethana të tjera.

“Ju të gjithë e dini që jam i dënuar në mungesë nga Serbia. Atë dënim, Serbia nuk ma ka falur kurrë dhe as nuk e kam kërkuar. Unë sillem si president dhe nuk dua të ballafaqohem fizikisht. Edhe sot, përfaqësuesit e Luginës më ftuan ta vizitoj atë pjesë, por rrethanat janë të tilla që Beogradi nuk e sheh të arsyeshme praninë time atje. Unë nuk kam bërë një kërkesë të tillë, sepse e kam të qartë përgjigjen e tyre. Por, pavarësisht nëse e vizitoj apo jo, do të bashkëpunojmë ngushtë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA