Dështon takimi Thaçi-Vuçiç. Mogherini i pret dy presidentët veç e veç

07/09/2018 14:25

Takimi i shumëdiskutuar Thaçi-Vuçiç në Bruksel u kthye në dështimin e radhës, pas refuzimit të presidentit serb për t’u përballur me homologun kosovar.

Arsyeja, sipas drejtorit të Zyrës për Kosovën në Beograd, Marko Gjuriç, ishin “mashtrimet, kërcënimet dhe gënjeshtrat e shqiptarëve”.

Pyetjet që shtrohen tani janë nëse bisedimet do të zhvillohen në një moment tjetër dhe nëse Prishtina do t’ia bllokojë kreut të shtetit serb vizitën e planifikuar në Kosovë.

Mesazhi i Gjuriçit, gjithsesi ishte i prerë. “Sot nuk kemi as dëshirën më minimale që të flasim me përfaqësuesit e Prishtinës. Pas gjithë shëmtive që ata kanë bërë, nuk duam as t’i shikojmë”.

Zyrtari serb theksoi se është e papranueshme, që Thaçi shton në bisedime kërkesa për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, në një kohë kur në dialog diskutohet vetëm shteti i Kosovës.

Lexo edhe:
Kosova, sytë nga Brukseli për takimet e Thaçit

Nëse Vuçiç do ta realizojë vizitën në Kosovë, kjo vendoset këtë mbrëmje. Ai, për çdo rast dëshiron të shohë Gazivodën e të lëvizë i lirë në Kosovë.

Presidenti serb dhe ai kosovar zhvilluan takime të ndara me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini.

Pas takimit me shefen e diplomacisë europiane, që është edhe ndërmjetësueja e bisedimeve të dialogut, Thaçi u shpreh se është e përkushtuar që të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila garanton njohjen reciproke, anëtarësimin në BE, NATO dhe OKB.

Ky rrugëtim, sipas presidentit të Kosovës do të jetë i vështirë, por i domosdoshëm për sigurimin e paqes afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe ka mbështetje të gjithanshme. Përpara takimit, Thaçi e përsëriti edhe njëherë për mediet idenë e tij të korrigjimit të kufijve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA