Frrok Çupi në “Top Talk”: Revolucion për shpëtimin nga krimi, nevojë për opozitë marksiste

06/09/2018 15:54

“Top Talk” ditën e sotme iu referuar zhvillimeve të fundit politike në vend, ku i ftuar ishte një ndër penat dhe një ndër mendjet e spikatura të publicistikës shqiptare, zoti Frrok Çupi, i cili befasoi me tezën e propozuar duke u shprehur se Shqipëria ka nevojë për një opozitë marksiste me rishpërndarje të pasurisë për shpëtimin nga krimi.

PD propozoi ditën e sotme një vetting politik, për këtë analisti u shpreh se më parë se të realizohet një gjë e tillë, duhet të bëhet një vetting i shoqërisë shqiptare, e cila sipas tij është e kriminalizuar.

Krimi ka filluar me disa skalione dhe ka filluar nga skalioni i fundit. Kjo është fatkeqësia se si luftohet krimi në Shqipëri. Kjo do të thotë se ka filluar me krime të selektuara, siç është “Xibraka”, siç është Shkodra. Kjo gjë e çon politikën në hetues, në polic dhe kjo nuk është normale. Që të shkosh te vettingu i politikës ka disa hapa të tjerë. Në Shqipëri duhet dekriminalizuar shoqëria dhe pa e bërë këtë nuk mund të bësh dekriminalizimin e politikës”, tha analisti.

Sa i përket rrethanave politike në vend dhe alternativave, Frrok Çupi shprehet se janë krijuar rrethanat që askush prej këtyre alternativave të mos fitojë më dhe do të jetë nevoja për një opozitë marksiste.

Kam frikë se këtu do të jetë nevoja për lindjen e një opozite marksiste, e cila është e vetmja mënyrë për t’u bërë e besueshme te populli dhe e vetmja mënyrë për të shkuar drejt thelbit të dekriminalizimit. Thelbi i dekriminalizimit tani në Shqipëri është shpërndarja e pasurisë dhe duhet të kemi një rishpërndarje të saj. Opozita marksiste duhet të jetë një e majtë ekstreme, por e përmbajtur në pjesën e përgjakjes, nuk është leniniste, nuk është staliniste. Dhe shenjat në Shqipëri janë dhënë tashmë”, shprehet Frrok Çupi.

Top Channel