Tony Blair ka zhvilluar një takim me ministrin e Brendshëm populist të Italisë, Matteo Salvini, të fokusuar zyrtarisht në disa çështje, por me theksin e vërtetë tek ajo që e shqetëson më shumë sot ish-kryeministrin britanik, si konsulent që prej vitit 2014 i korridorit jugor të gazit të mbështetur nga Azerbajxhani: ecuria e këtij të fundit.
Ndërtimi i TAP-it në Itali, ku gjatësia e përgjithshme e tubacionit në pjesën tokësore do të jetë vetëm 8 km, por përfshin edhe disa ullishta të kthyera në “mollë sherri”, po ecën me ritme të ngadalta.
Ajo përballet me një rrezik serioz, për shkak të kundërshtisë së egër që ka hasur nga “Lëvizja 5 yjet”, aktualisht pjesë e koalicionit qeverisës në Romë. Salvini u shpreh pak javë më parë se do ta mbështeste projektin, përfitimet e të cilit sipas tij janë më të larta sesa kostoja mjedisore që shqetëson “5 yjet”.
Megjithatë, përfaqësues të kësaj lëvizjeje nënvizuan më vonë se nuk kishin ndryshuar qëndrim lidhur me gazsjellësin transadriatik, gjë që bën të krijohet një situatë paqartësie mbi qëndrimin real të ekzekutivit italian lidhur me këtë çështje.
Oggi al Viminale con l’ex premier britannico Tony Blair per parlare di immigrazione, Brexit e politiche energetiche. Ho proposto una conferenza su sviluppo e investimenti per l'Africa, incontro cordiale e positivo, abbiamo reciprocamente apprezzato l’approccio concreto. pic.twitter.com/dJNvHZvJK2
— Matteo Salvini (@matteosalvinimi) September 4, 2018
Vizita e Blairit shihej pikërisht si përpjekje e tij për ta bindur qeverinë e Contes të mos i nxjerrë pengesa projektit, që do të shërbente si burim natyror gazi në Europë, duke zbehur kështu hegjemoninë e Rusisë në këtë treg.
Ai është mbështetur edhe prej shefit të Shtëpisë së Bardhë, që në fund të korrikut i kërkoi kryeministrit italian implementimin e TAP-it.
E madhe është ndërkohë trysnia e Moskës, që avancon me idenë e gazsjellësit “Nord Stream2”. Sipas shtypit italian, punimet në fqinjin e përtej Adriatikut deri tani kanë mbërritur te shpimi i pusit të mikrotunelit që është parashikuar të mbyllet brenda shtatorit.
Gazsjellësi duhet të jetë funksional në vitin 2020. Pjesa tokësore e TAP-it do të ketë një gjatësi të përgjithshme prej rreth 773 km, nga të cilat 550 km janë në Greqi, 205 km në Shqipëri dhe 8 kilometrat e Italisë.
Top Channel